Bashkimi Evropian ka theksuar se Kosovës i nevojitet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të BE-së, si dhe nga mundësitë financiare që ofrohen përmes Planit të Rritjes dhe Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA).
Këto fjalë u theksuan gjatë një takimi në Prishtinë mes shefes në detyrë të BE-së në Kosovë, Eva Palatova, dhe Drejtoreshës për Zgjerim të BE-së dhe Fqinjësinë Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti.
Zyrtarja e lartë e BE-së po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, ku të mërkurën do të takohet me përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile për të diskutuar mbi procesin e integrimit evropian.
Në njoftimin e lëshuar pas takimit fillestar, zyra e BE-së veçoi rëndësinë e reformave të qëndrueshme.
“Kosova ka nevojë për stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.
