Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian kanë miratuar marrëveshje të re për modernizimin e rregullave të patentave të shoferëve në BE. Këto ndryshime synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe thjeshtimin e procedurave administrative.
Direktiva e re parashikon që patentë shoferët të jenë digjitalë dhe të njihen në të gjitha vendet anëtare. Patentë shoferi do të jetë i qasshëm në telefon. Njerëzit që dëshirojnë ta kenë edhe fizikisht dokumentin, mund ta shfrytëzojnë të drejtën për ta marrë.
Patentë shoferët për motoçikleta dhe vetura do të jenë të vlefshme për 15 vjet, por vendet anëtare mund ta reduktojnë këtë periudhë në 10 vjet nëse ajo përdoret si dokument identifikimi kombëtar.
Patenta për kamionët dhe autobusët do të vlejë pesë vjet. Për shoferët mbi 65 vjeç, vendet anëtare mund të vendosin vlefshmëri më të shkurtër dhe të kërkojnë kontroll mjekësor para vazhdimit të patentë shoferit.
Për të adresuar mungesën e shoferëve profesionistë në BE, mosha minimale për marrjen e patentës për kamionë është ulur nga 21 në 18 vjeç, ndërsa për autobusë nga 24 në 21 vjeç, me kushtin që shoferët të kenë certifikatë kualifikimi profesional.
Shtetet anëtare mund të lejojnë 17-vjeçarët të drejtojnë kamionë në territorin e tyre, por vetëm nën mbikëqyrjen e një shoferi me përvojë.
Direktiva e re do të miratohet zyrtarisht nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian dhe do të hyjë në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së. Shtetet anëtare do të kenë katër vjet kohë për ta transpozuar atë në legjislacionin kombëtar.