UBT News

BE-ja me rregulla të reja për inteligjencën artificiale, si do të funksionojnë dhe si do të ndikojnë te njerëzit?

Associated Press

Zyrtarët e Bashkimit Evropian javën e kaluar u angazhuan intensivisht për të arritur një marrëveshje për rregullat botërore sipas të cilave duhet të përdoret inteligjenca artificiale në bllokun 27-anëtarësh.

Akti i Inteligjencës Artificiale është seti i fundit i rregullave të përcaktuara për ta qeverisur teknologjinë në Evropë, e cila do të ketë ndikim global.

Çfarë është Akti i Inteligjencës Artificiale dhe si funksionon?

Akti i IA-së vlerëson dhe analizon rreziqet e produkteve apo shërbimeve, të cilat përdorin inteligjencë artificiale dhe përqendrohet në rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në vend se të teknologjisë. Legjislacioni është bërë me qëllim që të mbrohet demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, siç është liria e shprehjes, duke nxitur investime dhe inovacion në të njëjtën kohë.

Sa më i rrezikshëm që të jetë aplikacioni, aq më të ashpra do të jenë rregullat. Ato të cilat përbëjnë rrezik të vogël, siç janë sistemet që rekomandojnë përmbajtje apo filtrat e përmbajtjeve të rrezikshme, detyrohen të ndjekin rregulla të lehta, si për shembull të tregojnë se mundësohen nga IA-ja.

Sistemet me rrezikshmëri të lartë, siç janë mjetet mjekësore, përballen me kërkesa më të mëdha, si përdorimi i të dhënave të cilësisë së lartë dhe ofrimi i të dhënave të qarta për përdoruesit. Ky akt nuk do të hyjë në fuqi deri në dy vjet pas miratimit përfundimtar nga ligjvënësit e BE-së dhe pritet të hidhet në votim në fillim të vitit 2024. Gjobat për shkelje shkojnë deri në 35 milionë euro apo 7% e të hyrave globale të kompanisë.

Si do të ndikojë ky akt te pjesa tjetër e botës?

Ky akt do të vlejë vetëm për afërsisht 450 milionë banorë të BE-së, por ekspertët thonë se ndikimi mund të shtrihet edhe më gjerë për shkak të rolit udhëheqës të Brukselit për të vendosur rregulla të cilat vlejnë si standard global.

BE-ja e ka luajtur këtë rol më parë me rregulla të kaluara të teknologjisë, më e veçanta është detyrimi për të bërë një karikues përbashkët për mbushje, e cila e detyroi kompaninë Apple të heqë dorë nga kablloja e vet për mbushësit e produkteve të saj.

Përderisa shumë vende të tjera po mendohen nëse duhet dhe si ta frenojnë IA-në, rregulloret gjithëpërfshirëse të BE-së pritet të shërbejnë si udhërrëfyes.

“Akti i IA-së është rregullorja e parë botërore gjithëpërfshirëse, horizontale dhe detyruese e inteligjencës artificiale, e cila jo vetëm që do t’i ndryshojë gjërat në Evropë, por me shumë gjasa do ta rrisë momentumin global për ta rregulluar IA-në nëpër juridiksione”, tha Anu Bradford, eksperte e ligjeve të BE-së dhe rregulloreve digjitale.

“Kjo e vë BE-në në pozitë të veçantë për të qenë lidere dhe për t’i treguar botës se IA-ja mund të qeveriset dhe se zhvillimi i saj mund të jetë subjekt i monitorimit demokratik”, tha ajo.

Duke mos e ndaluar plotësisht teknologjinë e njohjes së fytyrës në kohë reale, Brukseli “praktikisht i ka dhënë dritën e gjelbër vëzhgimit digjital distopik në 27 vendet anëtare të BE-së, duke e vendosur një precedent shkatërrues në gjithë botën”, tha Amnesty International.

Ndalesa e pjesshme është “një mundësi e humbur për ta ndalur dhe parandaluar dëmin kolosal ndaj të drejtave të njeriut, hapësirës civile dhe sundimit të ligjit, të cilat tashmë janë të kërcënuara nëpër BE”.

Nga ana tjetër, ka shprehur shqetësimin edhe për dështimin e ligjvënësve për ta ndaluar eksportin e teknologjive të IA-së, që mund t’i dëmtojnë të drejtat e njeriut – përfshirë përdorimin e notimit të shoqërisë, diçka që e bën Kina për t’i shpërblyer ata që i binden shtetit përmes vëzhgimit.

Çfarë po bëjnë vendet e tjera për rregulloren e IA-së?

Dy fuqitë më të mëdha të IA-së në botë, SHBA-ja dhe Kina, kanë nisur t’i përpilojnë ligjet e veta.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e nënshkroi një urdhër ekzekutiv për IA-në gjatë muajit tetor, i cili pritet të forcohet nga legjislacioni dhe marrëveshjet globale.

Urdhri u kërkon zhvilluesve kryesorë të IA-së t’i këmbejnë me Qeverinë rezultatet e testeve të sigurisë dhe të dhënat e tjera. Agjencitë do të krijojnë standarde për t’u siguruar se mjetet e IA-së janë të sigurta para se të publikohen për përdorim publik.

Kina, ndërkohë, ka publikuar “masa të përkohshme” për menaxhimin e IA-së së përgjithshme, të cilat vlejnë për përmbajtje si, tekst, fotografi, audio, video dhe të tjera të cilat prodhohen për njerëzit brenda Kinës.

Si do të ndikojë Akti i IA-së ndaj ChatGPT-së?

Rritja spektakulare e ChatGPT-së të Open AI-së dëshmon se teknologjia po shënon përparime tejet të mëdha dhe i detyroi politikëbërësit evropianë ta përditësojnë propozimin e tyre.

Akti i IA-së përfshin provizione për chatbot-at dhe sistemet e tjera të ashtuquajtura sisteme të IA-së për qëllime të përgjithshme, të cilat mund të kryejnë detyra të shumta, nga shkrimi i poezive deri te krijimi i videove dhe shkrimi i kodeve kompjuterike.

Shumica e sistemeve për qëllime të përgjithshme përballen me kërkesa themelore për transparencë, si publikimi i hollësive për të dhënat e tyre qeveritare dhe të tregojnë se sa shumë energji kanë përdorur për t’i trajnuar modelet në një gamë të gjerë të veprave të shkruara dhe imazheve të fshira nga interneti.

Ato, po ashtu, duhet t’i përmbahen ligjit të BE-së për të drejtat e autorit dhe ta përmbledhin përmbajtjen që e kanë përdorur për trajnime.

Me rregulla më të ashpra do të përballen sistemet më të avancuara të IA-së me fuqinë më të madhe kompjuterike, të cilat përbëjnë “rreziqe sistematike” që zyrtarët duan të mos i lejojnë të përhapen në shërbime që ndërtohen nga zhvilluesit e softuerit./UBTNews/

Exit mobile version