UBT News

BE-ja dhe ekspertët kërkojnë masa më të ashpra ndaj cigareve elektronike

Rishikimi i ligjeve për duhanin dhe nikotinën nga Bashkimi Evropian ka nxitur diskutime të shumta në Konferencën Evropiane për Duhanin dhe Shëndetin, e mbajtur këtë javë në Milano. Ekspertë të shëndetësisë dhe organizata ndërkombëtare kanë bërë thirrje për rregulla më të forta ndaj cigareve elektronike dhe produkteve të reja me nikotinë, duke theksuar ndikimin e tyre te të rinjtë.

Gjatë konferencës është kërkuar forcimi i masave si rritja e taksave, kufizimi i reklamimit dhe ndalimi i përdorimit në më shumë hapësira publike. Drejtori i përgjithshëm i World Health Organization, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se produktet e reja të nikotinës po krijojnë forma të reja varësie, sidomos te të rinjtë.

“Sot, përballemi jo vetëm me dëmet e vazhdueshme të shkaktuara nga produktet tradicionale të duhanit, por edhe me një treg që po ndryshon me shpejtësi të produkteve të reja dhe në zhvillim të nikotinës. Këto produkte shpesh reklamohen si më pak të dëmshme, por në realitet po krijojnë rrugë të reja drejt varësisë, veçanërisht për të rinjtë. Kjo nuk është ulje e dëmit. Kjo është krijim i dëmit”, ka deklaruar ai.

Në konferencë u theksua gjithashtu se përdorimi i cigareve elektronike në Evropë po rritet ndjeshëm, veçanërisht tek të rinjtë. Përfaqësuesit e organizatave shëndetësore vlerësuan se krijimi i hapësirave pa nikotinë mbetet një nga mënyrat më efektive për mbrojtjen e shëndetit publik.

“Shfaqja e shpejtë e produkteve të reja të nikotinës, e kombinuar me ndryshimin e mënyrave të përdorimit, do të thotë se puna jonë është më e rëndësishme dhe më urgjente se kurrë”, ka thënë Juha Pekka Turunen.

Ndërkohë në Prishtinë, mjekët kanë ngritur shqetësime për shkallën e lartë të varësisë nga nikotina tek të rinjtë. Sipas tyre, shumë fëmijë dhe adoleshentë po bëhen të varur nga cigaret elektronike për shkak të përmbajtjes së lartë të nikotinës dhe aromave tërheqëse.

“Niveli i lartë i nikotinës që gjendet në këto produkte bën që fëmijët të bëhen kaq shumë të varur, sa që zgjohen edhe natën për të marrë dozën e nikotinës”, është shprehur mjeku Morina.

Ai ka paralajmëruar edhe për pasojat shëndetësore të këtyre produkteve, duke përfshirë dëmtimet në mushkëri, zemër, tru dhe sistemin psikik.

Së fundmi, në Kosovë është iniciuar ndryshimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit, por autoritetet deri tani kanë pranuar vetëm rekomandimin për ndalimin e aromave dhe shijeve në cigaret elektronike. /Ekonomia online/

 

 

Exit mobile version