Bashkimi Evropian ka nisur sot transferimin e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën, si pjesë e Planit për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
Ky hap vjen pas ratifikimit të marrëveshjeve në Kuvend dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria e Kosovës.
Kjo shumë përfaqëson 7% të totalit prej mbi 882 milionë eurosh që Kosova ka në dispozicion deri në fund të vitit 2027. Nga mjetet e bartura sot, rreth 29 milionë euro janë kredi direkte në buxhet, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet përmes granteve dhe kredive për projekte kyçe në infrastrukturë.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e 111 hapave të reformave të dakorduara, duke pranuar se edhe pse është humbur pak kohë, Qeveria do të bëjë çmos për të përshpejtuar procesin.
“Kjo është detyrë e vështirë, por e arritshme,” deklaroi Kurti.
Në anën tjetër, shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi se ky plan ofron mundësi konkrete për afrimin e ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët evropian.
Alokimi i mjeteve në të ardhmen do të jetë i kushtëzuar me rezultate konkrete.
Deri më 30 qershor, Kosova pritet t’i përmbushë 13 hapat e parë të reformave që kapin vlerën e rreth 91 milionë eurove, ndërsa deri në fund të vitit synohen edhe 166 milionë euro të tjera.
Reformat mbulojnë fusha kritike si sundimi i ligjit, tranzicioni i gjelbër dhe zhvillimi ekonomik.
