UBT News

BE dhe Qeveria ndajnë 40 bursa Master për shërbyesit civilë të ardhshëm të Kosovës

Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës kanë shpallur përzgjedhjen e 40 përfituesve të rinj të bursave Master në kuadër të raundit të XVI-të të programit “Young Cell Scheme”. Për të nderuar këtë gjeneratë të re të bursistëve, sot në orën 17:00, në Ndërtesën e Qeverisë në Prishtinë, do të organizohet një ceremoni mirëseardhjeje.

Ky program, i cili bashkëfinancohet nga BE-ja dhe Qeveria e Kosovës, synon forcimin e administratës publike përmes arsimimit të profesionistëve të rinj në universitetet më prestigjioze të shteteve anëtare të BE-së.

“Young Cell Scheme” vazhdon të mbështetë mundësitë e arsimit të lartë për profesionistët e rinj, duke nxitur ekselencën akademike dhe duke forcuar kapacitetin udhëheqës të Kosovës në të ardhmen përmes arsimit të financuar nga BE-ja”, thuhet në komunikaten e Zyrës se Kryeministrit.

Përfituesit e këtij viti do të studiojnë në fusha strategjike si integrimi evropian, planifikimi i politikave, drejtësia, ekonomia, digjitalizimi dhe inxhinieria. Një element kyç i këtij programi është detyrimi ligjor i bursistëve që, pas përfundimit të studimeve, të shërbejnë në shërbimin civil të Kosovës për një periudhë trevjeçare.

“Përfituesit do të kenë mundësinë të ndjekin programe Masteri të financuara plotësisht në universitete në shtetet anëtare të BE-së… Duke u angazhuar në shërbimin civil, programi ndihmon që njohuritë e fituara të përdoren në mënyrë efektive në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Në eventin e sotëm do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe partnerët zbatues nga Universiteti Aristotel i Selanikut dhe “Institut National du Service Public”.

Ky aktivitet shënon zyrtarisht fillimin e rrugëtimit akademik për 40 shërbyesit civilë të ardhshëm të Republikës së Kosovës.

 

Exit mobile version