Sipas një raporti të BE-së Pekini dhe Moska po kërkojnë të minojnë besimin tek vaksinat perëndimore duke promovuar intensivisht të tyret.
Kina dhe Rusia kanë nisur fushata për të prishur besimin në strategjinë e Bashkimit Evropian për luftimin e virusit korona si dhe për të shtuar skepticizmin ndaj vaksinave të virusit korona të zhvilluara në Perëndim, njoftoi Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS) në një raport mbi dezinformimin në lidhje me pandeminë COVID-19 të botuar të mërkurën.
Sipas raportit, përpjekjet për “dezinformim të sponsorizuara nga shtetet” janë intensifikuar që nga fillimi i 2021, kur në të gjithë botën filloi shpërndarja e vaksinave me ritëm të përshpejtuar.
Fushata promocionale të paqarta
Ndërsa Kina dhe Rusia kanë rritur përpjekjet për të reklamuar vaksinat e tyre të prodhuara nga shteti, ato i kanë përdorur fushatat për promovimin e tyre për të “minuar besimin” në vaksinat perëndimore dhe institucionet e BE. Për të arritur këto qëllime të dyja vendet “po përdorin mediat e kontrolluara nga shteti, mediat sociale, përfshirë dhe faqe zyrtare”, thuhet në raport.
Në Rusi, mediat shtetërore po përpiqen të “hedhin dyshime” ndaj Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) dhe e duke akuzuar atë për vonimin e miratimit të vaksinës ruse Sputnik V.
Një agjenci e pavarur ruse, që është përgjegjëse për marketingun e Sputnik V, deklaroi në një mesazh në Twitter se kundër Rusisë dhe vaksinës së saj po bëhet një fushatë dezinformimi duke shtuar: “Ne do të vazhdojmë t’i kundërvihemi fushatës së dezinformimit kundër Sputnik V në interes të mbrojtjes së jetëve në të gjithë botën dhe shmangies së monopolit të vaksinave, që po përpiqen të sigurojnë disa prodhues vaksinash.”
Kina nga ana tjetër propagandon “histori mashtruese” rreth origjinës së virusit korona si dhe sigurisë së disa vaksinave perëndimore.
Mbjellje pakënaqësie
Në raportin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së shprehet shqetësime se rritja e rasteve të koronavirusit në BE dhe shpërndarja e ngadaltë e vaksinave, po përdoren nga Rusia dhe Kina si shembuj për dështimin e demokracisë dhe të shoqërive të hapura.
Kina dhe Rusia po përpiqen të ushtrojnë ndikim sidomos në Ballkanin Perëndimor, thuhet në raportin e botuar nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEAS).
Megjithëse BE është kritikuar për një shpërndarje të vaksinave më ngadalë se sa pritej, BE thotë se pas shtimit të kapaciteteve prodhuese këtë verë pritet të jenë vaksinuar 70% e të rriturve.
Hungaria u nda nga pjesa tjetër e BE-së dhe po përdor vaksinat nga Rusia dhe Kina.
Në mars Agjencia Evropiane e Barnave EMA filloi shqyrtimin e Sputnik V. Nëse EMA do të japë dritën e gjelbër Sputnik V do të jetë vaksina e parë e koronavirusit e prodhuar në një vend jo-perëndimor që mund të përdoret në BE.