UBT News

“BBVK”: Eksperiment social apo degradim i shoqërisë?

Një shfaqje e realitetit tonë të shoqërisë aktuale, përkufizohet si një eksperiment social, ku disa individë me profesione të caktuara bëhen pjesë e një shtëpie dhe janë të izoluar brenda katër mureve. Është një lloj programi televiziv që përfshin individë të zakonshëm, të cilët vendosen në situata specifike për të krijuar drama, duke u rrethuar nga konkurrenca ose eksperienca të tjera që synojnë të kapin emocionet dhe reagimet e tyre reale. Ajo që e bën të veçantë këtë format është se ngjarjet shpesh janë të paplanifikuara, duke sjellë kështu një ndjenjë autenticiteti dhe pasigurie, si për protagonistët e ngjarjes, ashtu edhe për shikuesit.

Në Kosovë, tash e 3 vjet ky format është ‘përqafuar’ nga masa, duke bërë që për 3 muaj radhazi sytë dhe veshët e audiencës të jenë dy herë në javë në Prime, por jo vetëm. Ata bëhen të varur nga këto diskutime që për bazë kanë gjithçka tjetër përveç argumentit të pastër. Epo, nuk thuhet më kot që debati me tone të larta dhe sulmi ndodhin pikërisht kur mungon argumentimi për tematikën e caktuar apo mungesa e informacionit bazë për çështjen në fjalë.

“Big Brother nuk ka një veçanti për të cilën duhej të admirohej, debatet e ashpra dhe termi ‘bullizëm’ në një format të tillë janë vetëm për të nxitur sherr, në mënyrë që masa ta ndjekë edhe më shumë”, kështu e nis këtë intervistë psikologu Dorjan Krasniqi, i cili mes tjerash thekson se ky term po keqpërdoret dhe nuk po përcaktohet saktë kufiri i tij, duke mos u bërë e qartë se cili është përkufizimi i saj.

Ai më tutje nënvizon faktin se këto formate ndikojnë edhe në psikologjinë e njerëzve që me apo padashje bëhen pjesë e debatit ani pse duke e shikuar nga ekrani apo rrjetet e ndryshme sociale. “Po sigurisht që ato ndikojnë, por do të thoja më shumë në mënyrën se si ne i përceptojmë apo pranojmë këto fakte, ama dramat në përgjithësi nuk sjellin dobi as për shëndetin mendor të një personi”, vazhdon tutje Krasniqi.

Ajo çka mund të cilësohet pikë pozitive është që një personazh apo individ do të rrëfejë sfidat, vështirësitë por dhe sukseset, natyrisht dikush më pak e dikush më shumë në profesionet që ata ushtrojnë. Këto formate shpesh kanë mbështetur edhe disa kauza siç janë; Denoncimi i dhunës së burrave ndaj grave, roli vendimmarrës i gruas në shoqëri, normalizimin e një divorci kur mes çiftit ka mirëkuptim apo dhe solidarizimi mes personave që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.

“Një gjë kryesore që duhet thënë është se personat me probleme të ngjashme nuk do të ndihen inferior, sepse tek e fundit një shëndet mendor jo i mirë nuk i atakon vetëm ata por edhe të tjerët qofshin ata imazhe publike apo persona të thjeshtë”, u shpreh psikologu kosovar.

Frika më e madhe e prindërve është se mos fëmijët e tyre kanë tendencë t’i kopjojnë sjelljet e këtyre banorëve duke tentuar ta marrin primatin dhe respektin nga të tjerët, sepse vëmendjen dikush e dëshiron me çdo kusht, e meriton apo jo, kjo pak ka rëndësi.

“Secili person ka një idol dhe ai/ajo mund të jetë pikërisht një konkurrent në këtë format, pra një person model që e admiron dhe ja kopjon edhe mënyrën e komunikimit”, u shpreh ai.

E, nëse flitet për presionin që atyre u bëhet gjithmonë në kuadër të lojës për dikë mund të jetë e papërballueshme dhe psikologu për këtë pjesë shton se vetëm një është fitues, ndërsa për të tjerët kjo do të jetë një humbje. Ai shton se nga izolimi brenda katër mureve, dalja mund të jetë me problematika, sepse ata përballen me realitetin.

“Rrezik të madh konsideroj tranzicionin që është i vështirë, e madje me raste shoqërohet edhe me pasoja. Duhet parë se si mund të menaxhohet kjo famë e madhe dhe t’i bëhet ballë edhe me komente negative”, përfundoi Dorjan Krasniqi.

UBT News ka realizuar një intervistë edhe me ish-banorin e edicionit të parë të ‘BBVK’, Artan Thaqi i cili fillimisht shpreh keqardhje për këtë sezon duke theksuar se dallon nga dy edicionet e kaluara.

“Edicioni i parë ku kam qenë prezent unë, pavarësisht se ka pasur debate mendoj që nuk kemi kaluar në banalitet e dhe nuk ka pasur eskalime. E kemi ditur se kur është momenti për t’u ndalur dhe, në fund të fundit, e kemi respektuar njëri-tjetrin. Edhe edicioni i dytë ka pasur momente kur situaae ka dalë jashtë kontrollit dhe madje shumica e debateve kanë përfunduar me ofendime. Kurse, sezona e tretë, që duhej të merrnin shembull nga ne, në vend që të sillen në suaza të normale, ka tendencë të bëjnë zhurma sa për të rënë në sy dhe për të marrë epitetin ‘Lider” mirëpo ka ‘ huqe të mëdha’. Pra, me pak fjalë, në këtë edicion banorët janë shumë larg nga të qenurit fitues”, theksoi Thaqi.

Sa ka ndikuar kjo eksperiencë televizive në psikologjikën e Artanit? 

Sa i përket aspektit psikologjik si banor duke e ditur faktin që isha në izolim dhe truri në një formë apo tjetër kalon nga realiteti në ikje nga përditshmëria, duhet të mendosh që jetesa do të zhvillohet vetëm brenda katër mureve. Pra, gjithçka ndodh aty dhe madje ndodh shumë shpejt, Në momentin që përfundon kjo aventurë, atëherë e dallon qartë se brenda ekziston një energji jo e mirë, shpeshherë negative, sepse secili ish-konkurrent brenda vetes i akumulon ato, dhe vjen një moment kur ndjehesh keq në muajt e parë pas daljes.

I pyetur në lidhje me ndikimin që ky format ka për të rinjë, kjo është përgjigja e tij: “ Kur flitet për rininë, nëse është fjala si shikues nga TV-ja, ky edicion besoj se e keni parë që është +18 dhe kanalet  me kod, për shkak se askush nuk mund të sigurohet se çfarë ndodh  dhe çfarë shprehje eksplicite, mund të përdoren. Kjo gjë transmetohet tek rinia, ku shumica prej tyre i përdorin si “MEME” në rrjetet sociale, dhe sigurisht që nuk ka efekt të mirë. Kontrolli i plotë për prindërit është një mision i pamundur, sepse fëmijët e tyre tashmë po përdorin pajisje teknologjike: Tv , Telefon, iPad etj.

Mund të thuhet se Big Brother VIP dhe formate të ngjashme kanë një ndikim negativ në shoqëri. Përpjekja për të krijuar drama dhe konflikte përmes një realiteti të manipulueshëm mund të ketë pasoja negative, duke ushqyer një kulturë të dhunës verbale dhe përçarjes. Kjo çon në një pyetje kritike: A janë këto formate të ardhshme të shëndetshme për shoqërinë, apo vetëm një mënyrë për të konsumuar kohë dhe emocione të manipuluara, që i shërbejnë vetëm përfitimeve komerciale dhe një publiku të lodhur nga spektaklet pa thellësi? E vërteta mbetet diku në mes, dhe ndikimi i këtyre programeve në psikologjinë e individëve dhe kulturën shoqërore është ende një temë për diskutim të vazhdueshëm./UBTNews/

 

Artikull i shkruar nga Albina Zeneli

 

Exit mobile version