UBT News

BBC: Një tregtar gjerman i varkave dyshohet si furnizuesi kryesor i kontrabandistëve të emigrantëve në Kanalin Anglez

Një tregtar gjerman i varkave dyshohet nga autoritetet evropiane se është një nga furnizuesit kryesorë të rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve që operojnë në Kanalin Anglez, zbulon një hulumtim i transmetuesit publik britanik, BBC.

Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga gazetarët, gati një e treta e kalimeve me varka të vogla drejt Britanisë gjatë katër muajve të parë të këtij viti dyshohet se janë kryer me gomone ose motorë të furnizuar nga “MaReBoote”, një kompani e vogël në Gjermaninë perëndimore.

Drejtori menaxhues i kësaj kompanie, 35-vjeçari Marvin Reuter, po kundërshton ekstradimin në Francë, ku pritet të përballet me akuza për kontrabandë, komplot kriminal dhe vrasje nga pakujdesia. Pajisjet e kompanisë së tij dyshohet se janë të lidhura me dy aksidente fatale në det, ku humbën jetën katër burra. I kontaktuar nga gazetarët e BBC-së pranë biznesit të tij në afërsi të Dortmundit, Reuter refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve, duke deklaruar se do ta raportonte ekipin në polici. Ai nuk mund të akuzohet formalisht derisa të ekstradohet në Francë dhe konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë.

Hulumtimi i përbashkët i BBC-së me mediat gjermane WDR, NDR, Süddeutsche Zeitung dhe gazetën franceze Le Monde, i bazuar në qindra dokumente policore, gjyqësore dhe tatimore, tregon se hetuesit kanë zbuluar lidhje të vazhdueshme mes Reuterit dhe rrjeteve të trafikimit.

 

Përmasat e përfshirjes dhe aksidentet fatale

Sipas hetimeve franceze, të paktën 82 varka nga firma e Reuterit kanë mbërritur në brigjet angleze brenda pak më shumë se dy vitesh deri në muajin maj. Po ashtu, dosjet tregojnë se autoritetet gjermane janë njoftuar nga pala britanike se 29% e kalimeve të zbuluara deri në fund të prillit të këtij viti përfshinin varka ose motorë të lidhur me “MaReBoote”.

Ndonëse logoja e kompanisë ishte shfaqur në fotot e mediave me emigrantë që në vitin 2021 — kohë kur Reuter deklaronte se ndihej “i zhgënjyer” dhe “i shqetësuar” që mjetet e tij po keqpërdoreshin — hetuesit tashmë dyshojnë për bashkëpunim të vetëdijshëm. Prokurori francez, Samuel Finielz, konfirmoi se ndaj drejtuesit të kompanisë gjermane është lëshuar një Urdhër Arresti Evropian në maj të këtij viti, për vepra të dyshuara që datojnë nga dhjetori i vitit 2024.

“Ndërsa shitja e varkave është plotësisht e ligjshme, ajo bëhet e paligjshme kur dikush është plotësisht i vetëdijshëm se ato do të përdoren nga rrjetet e përfshira në imigracion të paligjshëm ose trafikim të qenieve njerëzore”, deklaroi prokurori Finielz.

Në Francë, pesë persona të tjerë — një iranian, tre irakianë dhe një sirian — tashmë janë akuzuar në kuadër të këtij hetimi. Në njërin prej dy incidenteve fatale të lidhura me pajisjet e “MaReBoote”, humbi jetën 20-vjeçari sirian Suliman al Husein, i cili pësoi arrest kardiak pasi u shtyp në një gomone të mbipopulluar gjatë një nisjeje të dështuar në perëndim të Calais në janar të vitit 2025. Trupi i tij u gjet në dyshemenë e varkës që mbante logon e kompanisë gjermane.

 

Arrestimi i rastësishëm dhe përgjimet në burg

Rasti ndaj Reuterit mori hov në maj të këtij viti, kur policia franceze ndaloi për shpejtësi një automjet tip BMW me targa gjermane pranë qytetit portual Boulogne-sur-Mer. Brenda makinës dhe rimorkios së saj, që mbanin logon e “MaReBoote”, u gjetën bidonë karburanti, një motor varke, pompa dhe një gomone e shfryrë.

Dy shtetasit gjermanë në automjet — të dënuar tashmë për kontrabandë — pranuan gjatë marrjes në pyetje se ishin paguar deri në 1,000 euro për rrugë për të dërguar pajisje te “të huajt” në bregdet, duke e implikuar direkt Marvin Reuterin si personin që i kishte punësuar dhe paguar.

“Sigurisht që e dija se nuk ishte e ligjshme. Paratë më bënë të mbyllja njërin sy”, ka pranuar njëri prej të ndaluarve para hetuesve.

Reuter u arrestua në Gjermani në muajin maj dhe më pas u lirua në pritje të procedurës së ekstradimit. Ditën e arrestimit të tij, policia gjermane sekuestroi mbi 30 gomone dhe 9,000 jelekë shpëtimi në një depo sekrete në Gjermaninë perëndimore, të cilat dyshohet se ishin të lidhura me biznesin e tij. Përveç dëshmive, hetuesit kanë siguruar edhe përgjime nga qelia e një bosi të dyshuar të bandës në paraburgim në Francë, i cili është dëgjuar duke folur për blerjen e pajisjeve detare nga një firmë gjermane e drejtuar nga një person me emrin Marvin. /BBC/

 

Exit mobile version