Gati 400 staf në BBC World Service do të humbasin punën e tyre si pjesë e një programi për uljen e kostove dhe do të kalojnë në platformat dixhitale, njoftoi transmetuesi të enjten.
BBC, e cila shënon njëqindvjetorin e saj muajin e ardhshëm, tha se shërbimet e saj ndërkombëtare kishin nevojë të bënin kursime prej 28.5 milion £ (31 milion dollarëSH) si pjesë e reduktimeve më të gjera prej 500 milion £, për të cilat sindikatat fajësuan qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Në korrik, transmetuesi detajoi planet për të bashkuar televizionin BBC World News dhe ekuivalentin e tij vendas në Mbretërinë e Bashkuar në një kanal të vetëm, që do të nisë në prill të vitit të ardhshëm.
World Service i BBC aktualisht operon në 41 gjuhë në mbarë botën me një audiencë javore prej rreth 364 milionë njerëz. Një ndër argumentet e korporatës ishte se zakonet e audiencës po ndryshonin dhe më shumë njerëz po marrin lajmet në internet.
Shërbimet e radios në arabisht, persisht, kirgize, hindu, bengali, kinezisht, indonezisht, tamile dhe urdu do të ndalen nëse propozimet miratohen nga stafi dhe sindikatat.
Asnjë shërbim gjuhësor nuk do të mbyllet, këmbënguli transmetuesi, megjithëse një pjesë e prodhimit do të largohet nga Londra dhe oraret do të ndryshojnë.
Shërbimi Thai do të zhvendoset në Bangkok, shërbimi korean në Seul dhe shërbimi Bangla në Dhaka. Ndërsa buletini televiziv “Focus on Africa” do të transmetohet nga Nairobi, shtoi korporata.
Kreu i sindikatës së transmetimeve Bectu, Philippa Childs, tha se ishin të zhgënjyer nga ndryshimet e propozuara.
“Ndërsa ne e pranojmë se BBC duhet të përshtatet për të përballuar sfidat e një peizazhi mediatik në ndryshim, përsëri janë punëtorët ata që goditen nga vendimet politike të gjykuara keq të qeverisë”, tha ajo./UBTNews/