Banka Botërore në raportin e publikuar të martën vlerëson se pas një recesioni historik, pritet rimëkëmbje graduale ekonomike në Kosovë dhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, pritet të kenë sërish rritje ekonomike gjatë vitit 2021, pas recesionit të 2020-ës, më i rëndi i regjistruar ndonjëherë në rajon.
“Pas goditjes së rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, që rezultoi me një tkurrje të aktivitetit ekonomik të rajonit në një nivel të vlerësuar prej -3.4 përqind në vitin e kaluar, rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të rritet me 4.4 për qind në vitin 2021”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Ritmi i rritjes ekonomike, siç thuhet në raportin e Bankës Botërore, pritet të stabilizohet në 3.7 për qind përgjatë 2022 dhe 2023.
70 mijë vende pune të humbura në Ballkanin Perëndimor
Tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor, sipas Bankës Botërore, kanë mundur të rikuperojnë vetëm gjysmën e vendeve të punës të humbura për shkak të pandemisë.
“Megjithëse norma e papunësisë pësoi rënie – nga 13.5 për qind në 2019 në 12.6 për qind në 2020 – kjo erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së numrit të personave joaktivë, ndërsa numri total i vendeve të punës të humbura në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti afërsisht në 70,000 në fund të vitit 2020”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Për më tepër, këto humbje prekën në mënyrë disproporcionale shtresat më të cënueshme të popullsisë në rajon, përfshirë gratë dhe të rinjtë – ku norma e papunësisë së të rinjve u rrit në 33.6 për qind në 2020, duke ndërprerë në këtë mënyrë trendin rënës të saj gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas raportit, përpjekjet e politikave në rajon duhet të vijojnë të përqendrohen në mënyrë të vendosur në luftën kundër pandemisë, zvogëlimin e kostove sociale dhe mbështetjen e rimëkëmbjes.
Të gjitha vendet e rajonit duhet të garantojnë pajisjen e sistemeve të tyre shëndetësore me burime të mjaftueshme për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, testimin, terapitë, pajisjet e mbrojtjes personale si dhe përmirësimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve të kujdesit shëndetësor.
Ekonomia e Kosovës
Ekonomia e Kosovës, sipas këtij raporti të Bankës Botërore, shënoi tkurrjen e saj të parë në vitin 2020, që u nxit nga një rënie domethënëse e eksporteve të shërbimeve të udhëtimit, të ndërlidhura me diasporën, dhe nga rënia e investimeve.
Në këtë raport, thuhet se rimëkëmbja ekonomike do të jetë graduale edhe në Kosovë dhe aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm në 2022.
Rimëkëmbja do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit.
Rritja ekonomike, sipas Bankës Botërore, parashikohet të mbetet në mbi 4 përqind në periudhën afatmesme.
“Aktiviteti ekonomik pritet të fillojë të rritet në 2021, por rreziqet globale dhe të brendshme janë të konsiderueshme, ndër to vonesat në prokurimin dhe shpërndarjen e vaksinave, kufizimet e udhëtimit ndërkombëtar dhe rivendosja e masave të rrepta për frenimin e pandemisë”, tha Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, adresimi i pengesave strukturore afatgjata ndaj rritjes dhe investimi në kapitalin njerëzor kanë rëndësi jetike për të nxitur një rimëkëmbje dhe rritje të qëndrueshme.