Nga sezoni i ardhshëm, Bayern Munich do të ketë pesë yje në emblemën e vendosur në fanellën e tyre.
Bavarezët e kanë fituar titullin e nëntë radhazi në kampionatin gjerman në edicionin 2020/2021 dhe të 30-tin prej se është themeluar Bundesliga në vitin 1963 (kurse titulli i fituar në vitin 1932 nuk është përfshirë në formatin e ri).
Çështja e yjeve në Gjermani është paksa më e komplikuar në krahasim me ligat tjera. (Në rastin e Serie A, 10 tituj janë të barabartë me një yll, 20 me dy yje, 30 me tre yje – e kështu me radhë).
Rregulli i Bundesligas për vendosjen e yjeve qëndron si më poshtë:
3 tituj = 1 yll
5 tituj = 2 yje
10 tituj = 3 yje
20 tituj = 4 yje
30 tituj = 5 yje
Dekorimi për të festuar titujt e ligës vendore është vendosur në sezonin 2004/2005 duke u bazuar në rregullin e mësipërm. Asnjë klub deri më tani nuk kishte pesë yje, prandaj kriteri për vendosjen e yllit të pestë ka qenë i panjohur deri më tani.
“FC Bayerni është klubi i parë që arrin këtë sukses; kampionati i vitit 1932 nuk është numëruar nga Federata e Futbollit, sepse është fituar para se të themelohej Bundesliga. Kjo do të thotë se në sezonin 2021/2022, FCB mund ta mbajë zyrtarisht yllin e pestë të shumëpritur”, thuhet në njoftimin e kampionit gjerman.
Sipas këtij rregulli, më poshtë është lista e klubeve tjera që kanë yje në fanellat e tyre:
Borussia Dortmund – 2 yje (8 tituj)
Borussia Monchengladbach 2 yje (5 tituj)
Werder Bremen 1 yll (4 tituj)
Hamburger SV 1 yll (3 tituj pas vitit 1963)
VfB Stuttgart 1 yll, (3 tituj pas vitit 1963)