Bayer Leverkuseni i Xabi Alonsos fitoi titullin e parë në histori të klubit. “Aspirinat” dominuan Bundesligën falë një sezoni të jashtëzakonshëm pa humbje deri më tani (25 fitore dhe katër barazime).
Leverkuseni i dha fund dominimit 11-vjeçar të Bayern Munichut. Në anën tjetër, bavarezët uruan kundërshtarët e tyre për titullin historik nëpërmjet presidentit Herbert Hainer.
“Urime Bayer Leverkusenit për fitimin e titullit të parë historik. Titull absolutisht i merituar, ky është shpërblimi i një sezoni të jashtëzakonshëm dhe një futbolli të mrekullueshëm të bërë nga ta. Ne do të synojmë të rikthejmë titullin në Bavari, kështu që shihemi vitin tjetër”, u shpreh ai.
Teksa nuk mungoi një urim për rivalët edhe nga Jan-Christian Dreesen, CEO i Bayernit.
“Përgëzime të gjithëve te Leverkuseni. Deri tani ka zhvilluar një sezon të pabesueshëm. Skuadra ka shfaqur guxim, klas dhe vazhdimësi. Kështu që është një titull plotësisht i merituar. Ne do të marrim si një nxitje për të punuar edhe më shumë që të rikthejmë trofeun sërish te Bayerni”, shtoi Dreesen./UBTNews/