UBT News

Bayern Munich dhe Arsenali sigurojnë gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve

Bayern Munich dhe Arsenali kanë prerë biletën për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pas dy përballjeve dramatike që dhuruan spektakël dhe emocione deri në fund.

Në “Allianz Arena”, Bayerni triumfoi 4-3 ndaj Real Madridit, në një ndeshje të çmendur me përmbysje dhe gola spektakolare. Takimi nisi me avantazhin e shpejtë të madrilenëve përmes Arda Güler, por gjermanët reaguan menjëherë duke barazuar me Aleksandar Pavlović.

Güler riktheu epërsinë për Realin me një goditje dënimi të jashtëzakonshme, ndërsa Harry Kane barazoi sërish për Bayernin. Para pushimit, Kylian Mbappé shënoi për 2-3, duke e lënë gjithçka të hapur.

Në pjesën e dytë, loja u ashpërsua dhe tensioni u rrit ndjeshëm. Real Madridi mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Eduardo Camavinga në minutën e 86-të, çka rezultoi vendimtare. Bayerni përfitoi maksimalisht: Luis Díaz barazoi në minutën e 89-të, ndërsa Michael Olise vulosi përmbysjen me golin e fitores për 4-3.

Me këtë rezultat dhe fitoren në total 6-4, gjermanët sigurojnë kalimin në fazën tjetër.

Ndërkohë, Arsenali konfirmoi epërsinë ndaj Sportingut 1-0 duke menaxhuar me zgjuarsi avantazhin e ndeshjes së parë. Skuadra londineze tregoi pjekuri taktike dhe organizim të lartë, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit për përmbysje.

Sportingu tentoi të reagojë, sidomos në tranzicion dhe me presion të lartë, por mbrojtja e Arsenalit qëndroi solide, duke ruajtur kontrollin e lojës dhe rezultatin që i dërgoi anglezët në gjysmëfinale.

Kështu, Bayerni dhe Arsenali bashkohen mes katër skuadrave më të mira të Europës, duke konfirmuar formën dhe ambiciet e tyre për trofeun më prestigjioz në nivel klubesh.

 

Exit mobile version