Basketbollistja ukrainase Kate Koval ka vendosur të largohet nga programi i basketbollit të Universitetit Shtetëror të Luizianës (LSU), pasi ekipi transferoi lojtaren ruse Anna Minaeva.
Pas vetëm një sezoni në ekipin amerikan, 20-vjeçarja u largua fillimisht për “arsye personale”. Megjithatë, përmes një reagimi në Instagram, Koval bëri të ditur se pas vendimit të saj qëndron lufta në Ukrainë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë që ka pasur pushtimi rus në familjen e saj.
“Babai im shërben në ushtrinë ukrainase dhe është jashtëzakonisht krenar që mbron vendin e tij nga agresioni rus”, shkroi Koval.
Ajo tregoi se lufta nuk është diçka e largët për të, pasi njerëz të afërt me të janë vrarë dhe plagosur nga sulmet ruse, ndërsa vendet ku është rritur dhe ku ka nisur të luajë basketboll janë shkatërruar.
Koval, e cila pritej të ishte një nga lojtaret kryesore të LSU-së në sezonin e ri, tha se vendimi për t’u larguar nuk ishte i lehtë.
“E kuptoj dhe e respektoj që vendimet për skuadrën janë pjesë e basketbollit universitar. Por unë duhet të qëndroj besnike ndaj vetes, vlerave të mia dhe vendit tim”, u shpreh ajo.
Afati i transferimeve tashmë ka përfunduar, por Koval shpreson që NCAA ta marrë parasysh situatën e saj dhe t’i lejojë të transferohet në një universitet tjetër për sezonin e ardhshëm.
“Ndjeva se gjeta një shtëpi në LSU dhe jam jashtëzakonisht mirënjohëse për bashkëlojtaret, trajnerët, stafin, profesorët dhe gjithë komunitetin e LSU-së”, tha basketbollistja ukrainase.
Koval sezonin e kaluar regjistroi mesatarisht 8.3 pikë për ndeshje në basketbollin universitar amerikan dhe ka edhe dy vite të mbetura në NCAA.
D.L
