13 marsi do të mbetet përgjithmonë një nga datat më të rëndësishme në historinë e sportit kosovar. Në këtë ditë të vitit 2015, Federata e Basketbollit e Kosovës u pranua zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në FIBA, duke i hapur rrugë përfaqësimit ndërkombëtar të basketbollit të Kosovës pas shumë vitesh përpjekjesh.
Ky moment historik shënoi një kapitull të ri për basketbollin në vend, pasi Kosova u bë pjesë e familjes botërore të këtij sporti dhe fitoi mundësinë të garojë në arenën ndërkombëtare.
13 marsi përfaqëson shumë më tepër se një vendim formal. Ai simbolizon një rrugëtim të gjatë përkushtimi dhe sakrifice nga gjenerata të shumta basketbollistësh, trajnerësh, gjyqtarësh dhe punëtorësh sportivë që kanë kontribuar në zhvillimin e basketbollit në Kosovë.
Në përputhje me Planin Strategjik të Federatës së Basketbollit të Kosovës për periudhën 2026–2030 dhe me synimin për të zgjeruar komunitetin e basketbollit në vend, është vendosur që 13 marsi të shënohet çdo vit si Dita e Basketbollit në Kosovë.
Kjo ditë synon të bashkojë të gjithë dashamirët e basketbollit dhe të rikujtojë rrugëtimin, përkushtimin dhe sukseset që kanë ndërtuar historinë e këtij sporti në Kosovë.
