UBT News

Bashkimi shpallet kampion pas finales dramatike ndaj Pejës 03

Bashkimi i Prizrenit ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës në basketboll për femra, duke e fituar titullin e kampionit të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Në praninë e një numri të madh shikuesish, prizrenaset e mposhtën Pejën 03 me rezultat 71:61 në ndeshjen e shtatë dhe vendimtare të finales, duke e mbyllur serinë 4:3. Ky është titulli i katërt radhazi dhe i dhjeti në histori për Bashkimin.

Skuadra mysafire dominoi pjesën më të madhe të ndeshjes, duke fituar çerekun e parë 23:17 dhe të dytin 19:7. Peja 03 tentoi rikthimin në pjesën e dytë dhe u afrua në rezultat, por Bashkimi arriti ta ruajë epërsinë deri në fund, pavarësisht presionit. Më e dalluara te Bashkimi ishte Alexis Mead me 26 pikë, 8 asistime dhe 4 kërcime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Saranda Daci me 16 pikë e 8 kërcime dhe Dontavia Waggoner me 12 pikë e 6 kërcime. Te Peja 03, Paige Powell realizoi 21 pikë dhe 10 kërcime, ndërsa Adrienne Godbold shtoi 17 pikë, 10 kërcime dhe 4 asistime.

Bashkimi këtë edicion ka fituar edhe Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike, ndërsa Peja 03 e përfundon sezonin me trofeun e Superkupës.

Exit mobile version