UBT News

Bashkimi pëson humbjen e pestë në FIBA Europe Cup, Manchesteri triumfon në Prizren

Bashkimi i Prizrenit ka pësuar humbjen e pestë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, pasi të mërkurën mbrëma u mposht nga skuadra angleze Manchester me rezultat 95:84.

Përballja e zhvilluar në kuadër të Grupit F ishte e para ndërmjet këtyre dy skuadrave, ndërsa Manchesteri arriti të marrë fitoren pas një paraqitjeje më të mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes.

Bashkimi ishte konkurrues vetëm në çerekun e parë, i cili përfundoi me epërsinë minimale të mysafirëve, 23:22. Në periudhën e dytë, anglezët e rritën ritmin dhe fituan 25:18, duke shkuar në pushim me epërsi prej tetë pikësh, 48:40.

Manchesteri vazhdoi me lojë të mirë edhe në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 32:25, duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm.

Nënkampioni i Kosovës tentoi të rikthehej në lojë dhe arriti ta ngushtonte diferencën në dhjetë pikë, tri minuta e 30 sekonda para fundit, por nuk arriti ta përmbyste rezultatin.

Shannon Shorter ishte më i dalluari te Bashkimi me 18 pikë, gjashtë asistime dhe një kërcim. Adrio Bailey kontribuoi me 13 pikë, Divine Myles me 12, ndërsa Lejson Zeqiri dhe Gavin Dwayne Kensmil realizuan nga dhjetë pikë.

Në anën tjetër, Keon Thompson udhëhoqi Manchesterin me 19 pikë, pesë asistime dhe tri kërcime, ndërsa Jordan Johnson shtoi 18 pikë.

Kjo ishte disfata e pestë për Bashkimin në Grupin F, ku deri më tani ka regjistruar vetëm një fitore.

Dy skuadrat do të përballen sërish më 2 dhjetor, këtë herë në Angli. Ndeshja ishte paraparë të zhvillohej më herët, por u shty për shkak të problemeve me pajisjen e vizave te skuadra prizrenase.

Me këtë rezultat, Bashkimi mbetet pa gjasa për ta siguruar pozitën e dytë në grup.

D.L

Exit mobile version