Bashkimi i ka dhënë fund dominimit të Trepçës në garat e basketbollit kosovar, duke triumfuar në Superkupën e Kosovës.
Prizrenasit të martën mbrëma e mposhtën Trepçën me rezultat 103:93, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Fituesi u përcaktua vetëm pas vazhdimit prej pesë minutash, pasi koha e rregullt përfundoi me rezultat 87:87.
Nëntë sekonda para fundit, kur rezultati ishte 84:84, Mikaile Tmushiq dështoi të shënonte për tri pikë. Në aksionin pasues, Shanon Shorter realizoi nga distanca për 87:84 në favor të Bashkimit. Prizrenasit nisën festën, por Trepça kishte ende një mundësi.
Me vetëm 1.6 sekonda në dispozicion, Drilon Hajrizi pasoi te Dardan Kapiti, i cili gjuajti nga gjysma e fushës dhe realizoi për 87:87, duke e dërguar ndeshjen në vazhdim.
Tensionet vazhduan edhe para fillimit të pesë minutave shtesë, ndërsa trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, u përjashtua pas reagimit ndaj arbitrave.
Në vazhdim, Bashkimi ishte dukshëm më efikas dhe dominues. Prizrenasit fituan pesëminutëshin shtesë me rezultat 16:6 dhe në fund triumfuan 103:93, duke e fituar Superkupën e Kosovës.
- D.L
