UBT News

Bashkimi dhe Trepça në finalen e Kupës së Kosovës

Janë zhvilluar mbrëmë ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës në basketboll, të cilat kanë përcaktuar dy skuadrat finaliste: Trepçën dhe Bashkimin.

Në përballjen e parë të mbrëmjes, Trepça u përball me Borën dhe arriti fitore me rezultat 78:66. Mitrovicasit, që kishin fituar bindshëm edhe ndeshjen e parë 87:64, konfirmuan epërsinë dhe u bënë skuadra e parë finaliste e këtij edicioni. Kampionët në fuqi të Kupës treguan stabilitet dhe përvojë, duke mos e vënë në dyshim asnjëherë kualifikimin.

Ndërkohë, në ndeshjen e dytë të zhvilluar, Bashkimi mposhti Sigal Prishtinën me rezultat 85:69. Pas fitores 83:67 në takimin e parë, prizrenasit e menaxhuan me sukses edhe sfidën e kthimit, duke siguruar me meritë një vend në finale.

Kështu, finalja e Kupës së Kosovës, që zhvillohet më 18 shkurt, do të sjellë një duel mjaft interesant mes Trepçës dhe Bashkimit, dy skuadra që synojnë ta mbyllin këtë edicion me trofe.

 

Exit mobile version