UBT News

Bashkimi arrin fitore historike kundër Anwil Wloclawek

KB Bashkimi ka shënuar një nga fitoret më të mëdha në historinë e saj, duke mposhtur gjigantin polak Anwil Włocławek me rezultat 80-75 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Ndeshja u zhvillua në kuadër të para-kualifikimeve të FIBA Europe Cup dhe solli një atmosferë të jashtëzakonshme në tribuna, ku tifozët verdhezi krijuan një mbështetje të zjarrtë për skuadrën e tyre.

Basketbollistët e Bashkimit treguan karakter të madh, duke kontrolluar lojën në momentet vendimtare dhe duke mos lejuar që përvoja dhe emri i madh i skuadrës polake të ndikonte në rrjedhën e takimit.

Me këtë triumf, skuadra prizrenase dëshmoi se është e gatshme të përballet denjësisht me kundërshtarë të mëdhenj evropianë dhe të ëndërrojë për një kualifikim historik.

Kjo fitore pritet të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve, jo vetëm si një rezultat i madh sportiv, por edhe si një dëshmi se basketbolli kosovar po bën hapa të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. /S.K/KP

Exit mobile version