Tri orë kanë pritur bashkatdhetarët gjatë ditës së hënës në pikën kufitare në Merdar në kolonën 1 kilometërshe. Udhëtarët që po ktheheshin në vendet e perëndimit nëpërmjet kësaj pike kufitare, kanë thënë se tashmë janë bërë të zakonshme pritjet nëpër kufij.
“Për fat të keq nëpër kufij po presim shumë. Kësaj here po më duket se patëm fat, nuk qenka edhe kolonë e madhe. Po ma merr mendja që do të kalojmë diqysh. Po e shohim. Presim qe 15 minuta momentalisht”, ka thënë Shtjefën Kajtazi.
“Tash me familje jam këtu, nja gjysmë sahati ose 40 minuta po. Po apet kur po e shoh, s’është shumë kallaballak. Edhe një sahat me prit nuk është shumë. Por po mendoj që për një sahat çelet këtu, po apet mirë. Ishallah nuk bahet kallaballëk në Serbi-Hungari”, ka shtuar Nejat Kurti.
Pritje ka pasur edhe në hyrje të Kosovës, por Shaban Gashi, i cili po vinte nga Gjermania, ka thënë të ketë kaluar shumë mirë deri në Kosovë.
“Në kufi kemi prit nja një orë e diçka, po mirë kemi kaluar. Ishte kolonë e madhe, po mirë kemi kaluar, shumë bukur”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk është prononcuar rreth pritjeve të bashkatdhetarëve në kufirin e Merdarit. Ka thënë se të dhënat rreth pritjeve janë publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme. E sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të orës 12 e 55 minuta bashkatdhetarët kanë pritur deri në tri orë në Merdar, si në hyrje ashtu edhe në dalje të Kosovës. Deri një orë e gjysmë kanë qenë pritje edhe te Dheu i Bardhë në hyrje të Kosovës dhe deri në 45 minuta në Jarinje. Ndërsa në pikat e tjera kufitare pritjet kanë qenë të vogla.
© KOHA