UBT News

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit: Mungon LDK dhe PDK

Lajm i përditësuar

13:22

Sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, me të vetmen pikë të rendit të ditës: konsultimin mes partive politike lidhur me veprimet pas mos-përzgjedhjes së nënkryetarit të pestë nga radhët e pakicës serbe.

Në këtë mbledhje nuk morën pjesë  partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Nga ana tjetër, në takim ishin të pranishme nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, dhe nënkryetarja nga pakicat jo-serbe, Emilija Rexhepi.

PDK dhe LDK kishin paralajmëruar bojkotin, duke theksuar se seanca e kaluar është përmbyllur në mënyrë të kundërligjshme, pasi Kuvendi nuk është konstituuar plotësisht pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.

09:30

Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i paplotësuar, ndërsa kryetari i tij, Dimal Basha, ka thirrur për sot në orën 13:00 një mbledhje të Kryesisë, megjithëse ky organ ende nuk është konstituuar në tërësi.

Takimi vjen pas pamundësisë për të zgjedhur nënkryetarin e pestë, i cili duhet të jetë përfaqësues i komunitetit serb.

Por, dy subjektet kryesore opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, tashmë kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje.

Shefja e deputetëve të LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka quajtur të paligjshme ftesën e kryetarit të Kuvendit, duke i thënë “JO” takimit.

“Jo, absolutisht, sepse konsiderojmë që çdo gjë që ndodh pas mbylljes arbitrare të seancës, pa konstituim të Kuvendit, është antikushtetuese. Nuk do të marrim pjesë”, ka theksuar Bajrami.

Në të njëjtën linjë, edhe PDK ka refuzuar pjesëmarrjen, duke argumentuar se Kuvendi nuk është ende funksional.

“Në këto rrethana, PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit”, thuhet në komunikatën e tyre në Facebook.

Exit mobile version