Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka reaguar lidhur me publikimet që lidhin atë me punimin e vitit 2012 ku pretendohet se UÇK kishte lidhje me trafikantë të drogës në themelimin e saj.
Basha emri i të cilit u lidh në bashkëautorësi me Jana Arsovska tha se ka dorëzuar përmbajtje vetëm për kapitullin 3 të këtij publikimi, për të cilin thotë se mbanë përgjegjësi.
“Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë. Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull”, ka shkruar Basha në Facebook.
Tutje, Basha thotë se e çmon lart luftën e UÇK-së për liri.
“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë.I kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e Bashës.