UBT News

Barcelona përgatit ofertën finale prej 115 milionë eurosh për Julian Alvarezin

Barcelona është duke përgatitur një ofertë përfundimtare prej 115 milionë eurosh për transferimin e sulmuesit të Atletico Madridit, Julian Alvarez, gjatë afatit kalimtar të verës.

Sipas raportimit të gazetës Sport, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, së bashku me shefin e skautëve, Joao Amaral, udhëtuan të mërkurën në Madrid, ku u takuan me agjentin e lojtarit, Fernando Hidalgo. Qëllimi i takimit ishte koordinimi i hapave të fundit përpara afatit të vendosur nga presidenti Joan Laporta, më 10 gusht.

Raportohet se Alvarez do ta njoftojë zyrtarisht drejtuesit e Atletico Madridit se dëshiron të largohet këtë verë dhe se destinacioni i vetëm që po shqyrton është Barcelona. Megjithatë, sulmuesi argjentinas nuk pritet të ushtrojë presion publik ndaj klubit. Ai do t’i bashkohet normalisht përgatitjeve parasezonale më 10 gusht, ndërsa kërkesën për transferim do ta paraqesë privatisht te drejtuesit e klubit.

Barcelona kishte paraqitur edhe më herët një ofertë prej 100 milionë eurosh, në mesin e muajit korrik, por ajo ishte refuzuar menjëherë nga Atletico Madridi, pa hyrë në negociata.

Burimet bëjnë të ditur se Alvarez ka refuzuar interesimin e klubeve të tjera evropiane dhe beson se kërkesa e tij personale mund ta bindë Atletico Madridin të rishqyrtojë qëndrimin.

Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Ángel Gil Marín, vazhdon të mbajë një qëndrim të prerë kundër shitjes së sulmuesit, veçanërisht te një rival direkt në La Liga. Drejtuesit e klubit madrilen e konsiderojnë Alvarezin të pashitshëm dhe nuk janë të gatshëm të hyjnë në bisedime me Barcelonën, pavarësisht ofertës financiare.

Në anën tjetër, drejtuesit katalanas besojnë se dëshira e lojtarit për t’u transferuar mund të ndryshojë situatën dhe t’i hapë rrugën negociatave.

Sipas raportimit, Deco pritet të kërkojë një takim me Miguel Ángel Gil Marín gjatë ditëve në vijim. Ky takim mund të jetë vendimtar për të ardhmen e transferimit, pasi Barcelona do të vendosë nëse do të dorëzojë zyrtarisht ofertën prej 115 milionë eurosh ose do të tërhiqet nga gara nëse Atletico Madridi vazhdon të refuzojë çdo mundësi negociatash.

D.L

Exit mobile version