Barcelona do të jetë pa një prej futbollistëve kryesorë, Lamine Yamal, në ndeshjen e së mërkurës ndaj Sabahut, e vlefshme për Ligën e Kampionëve, që zhvillohet në Azerbajxhan.
Klubi katalunas ka vendosur të mos e përfshijë sulmuesin në udhëtim, në mënyrë që ai të rikuperohet plotësisht nga shqetësimet në kyçin e djathtë të këmbës, të cilat i pësoi në fitoren 3:2 ndaj Villarrealit të dielën.
Në njoftimin zyrtar, Barcelona bëri të ditur se Yamal ka shqetësime të lehta dhe se mungesa e tij ndaj Sabahut është vetëm masë parandaluese. Ai pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së dielës së ardhshme ndaj Deportivos.
Pavarësisht shqetësimeve fizike, 18-vjeçari luajti të gjitha 90 minutat kundër Villarrealit. Fillimisht, ai dështoi të shënonte nga pika e bardhë, por më pas asistoi për Fermin Lopezin në golin e barazimit 2:2.
Përveç Yamalit, në këtë përballje do të mungojnë edhe Xavi Espart dhe Roony Bardghji, të cilët po ashtu janë të lënduar.
Ndërkohë, Pau Cubarsi, Andreas Christensen dhe Rodri mbeten në dyshim për ndeshjen ndaj skuadrës nga Azerbajxhani.
D.L
