Barcelona ka filluar të marrë vendime për trajnerin e tyre të ardhshëm. Në listë ka pasur një numër të madh emrash të lidhur me këtë pozicion, mirëpo nga mediume të ndryshme spanjolle bëhet e ditur se katalunasit e kanë ngushtuar listën e tyre në vetëm tre kandidatë, njëri prej të cilëve është italian, njëri gjerman dhe i fundit spanjoll.
Një numër i emrave të lidhur përshtaten me këto kritere. Opsioni italian duket më i qartë dhe bëhet fjalë për trajnerin e Brighton, Roberto de Zerbi.Ai ka një klauzolë lirimi prej 12 milionë euro në kontratën e tij me klubin anglez dhe mendohet të jetë shumë i kërkuar nga klube të tjera këtë verë.
Ndërsa, sa i përket opsionit gjerman, spanjollet duket se janë më afër me ish-trajnerin e Bayern Munchen, Hansi Flick. Në anën tjeter, Julian Nagelsmann dhe trajneri aktual i Bayernit, Thomas Tuchel, janë sugjeruar si opsione. I pari nuk ka kontratë me Kombëtaren e Gjermanisë pas verës, kurse, Tuchel pritet të largohet nga Bayerni në fund të sezonit.
Kohët e fundit gjithashtu, u shfaqën raporte se një pjesë e bordit të Barcelonës pëlqen Xabi Alonso të Bayer Leverkusenit, megjithatë nënshkrimi i tij duket i pamundur, duke pasur parasysh kërkesën për të dhe lidhjet e tij me ish-klubet Liverpool, Bayern dhe Real Madrid./UBTNews/