UBT News

Barcelona nën hetim pas ankesës së Atletico Madridit për rastin Julian Alvarez

Barcelona është vënë nën hetim nga Federata Spanjolle e Futbollit, pas një ankese zyrtare të paraqitur nga Atletico Madridi, e cila pretendon se klubi katalanas ka kontaktuar sulmuesin Julian Alvarez në kundërshtim me rregulloret për transferimin e lojtarëve.

Sipas raportimeve të Marca, procedura disiplinore është iniciuar pas ankesës së dorëzuar nga Atletico më 30 qershor. Klubi madrilen pretendon se Barcelona ka zhvilluar kontakte me 26-vjeçarin, pavarësisht se ai është nën kontratë me Atleticon deri në qershor të vitit 2030.

Të dy klubet janë njoftuar zyrtarisht për hapjen e procedurës dhe pritet të paraqesin argumentet e tyre përpara organeve kompetente të RFEF-së, të cilat më pas do të marrin një vendim përfundimtar.

Rasti ka shtuar tensionet mes dy rivalëve të La Ligas. Më herët, drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Ángel Gil Marín, kishte paralajmëruar se klubi do të ndërmerrte veprime për të mbrojtur interesat e tij në rast të çdo qasjeje të parregullt ndaj lojtarit.

Nga ana tjetër, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, kishte deklaruar më 13 korrik se klubi kishte bërë një ofertë për Julian Alvarez. Megjithatë, Atletico Madrid vazhdon të refuzojë çdo mundësi për negociata, duke e konsideruar sulmuesin argjentinas pjesë të rëndësishme të projektit të tij.

Julian Alvarez raportohet se është i hapur ndaj një sfide të re në karrierë, ndërsa Barcelona e sheh atë si një nga objektivat kryesorë për përforcimin e repartit ofensiv para sezonit të ri.

Pavarësisht procedurës së nisur, drejtuesit e Barcelonës e konsiderojnë hetimin pjesë të procesit të zakonshëm administrativ dhe po përgatisin mbrojtjen e tyre ligjore.

D.L

Exit mobile version