UBT News

Barcelona dhe Bayerni në garë për talentin zviceran Johan Manzambi

Barcelona dhe Bayern Munichu kanë shprehur interesim për mesfushorin e ri zviceran, Johan Manzambi, i cili po tërheq vëmendjen me paraqitjet e tij te Aston Villa, raporton gazeta spanjolle Marca.

Futbollisti 21-vjeçar është vënë në radarët e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, ndërsa skautët po e përcjellin nga afër zhvillimin dhe potencialin e tij.

“E dimë se skautët e disa prej klubeve më të mëdha evropiane janë impresionuar nga paraqitjet e Manzambit, me disa prej tyre që e konsiderojnë një superyll të së ardhmes”, ka deklaruar gazetari Graeme Bailey për TEAMtalk.

I lindur në Gjenevë në vitin 2005, Manzambi përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare dhe dallohet për aftësitë teknike, depërtimet me top dhe krijimin e rasteve për shënim.

Bayern Munichu kishte nisur ta përcillte mesfushorin që gjatë periudhës së tij te Freiburgu, ku regjistroi shtatë gola dhe nëntë asistime në 47 paraqitje.

Sipas raportimeve, pas transferimit te Aston Villa për 60 milionë euro, Manzambi ka vazhduar me paraqitje të mira nën drejtimin e trajnerit Unai Emery, duke kontribuar me gola ose asistime në ndeshjet e zhvilluara.

Mesfushori zviceran është dalluar edhe në arenën ndërkombëtare, ku, sipas raportimit, realizoi tre gola dhe dy asistime në katër ndeshje të Kupës së Botës, përpara se një lëndim ta pengonte të vazhdonte garën.

Interesimi i Barcelonës dhe Bayern Munichut pritet ta vendosë Manzambin në qendër të vëmendjes gjatë afatit të ardhshëm kalimtar, ndërsa mbetet të shihet nëse ndonjëri prej klubeve do të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e tij.

Exit mobile version