Familja Obama po shkon në Audible!
Higher Ground, kompania e prodhimit të familjes Obama – nënshkroi një marrëveshje ekskluzive me Audible, shërbimi i librave audio dhe podkast të Amazon. Me këtë marrëveshje shumë projekte audio do të shpërndahen në tërë botën. Detajet financiare nuk u bënë të ditura.
Marrëveshja e re me Audible – që u njoftua të martën – vjen pas raportimeve se çifti Obama i dha fund partneritetit me Spotify, në muajin prill. Ajo marrëveshje ishte arritur në vitin 2019.
“Në Higher Ground, ne gjithmonë kemi kërkuar të ngremë zëra që meritojnë të dëgjohen – dhe Audible po investon në realizimin e këtij vizioni përkrah nesh”, tha ish-presidenti Obama në një deklaratë.
Kjo është vetëm njëra nga marrëveshjet e familjes Obama në industrinë e argëtimit pasi u larguan nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2017. Higher Ground ka edhe një marrëveshje ekskluzive me Netflix, e cila ka grumbulluar shfaqje televizive dhe filma të vlerësuar me çmime./UBTNews/