Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mirëpret raportin e fundit të Bankës Botërore “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas COVID-19”.
Raporti në fjalë ka njohur zhvillimet pozitive në sektorin financiar, rritjen e kredive dhe të depozitave, si dhe kërkesat e mjaftueshmërisë së kapitalit, të cilat mbesin mbi limitet e rregullores.
Kreditë joperformuese po vazhdojnë të jenë në nivel të ulët, të cilat u luhatën mes 2.5 dhe 2.7 përqind gjatë periudhës janar-korrik 2021.
Raporti thekson se ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me shpejtësi, megjithëse në të ardhmen rreziqet mbeten të larta, ndërsa vendi vazhdon të përballet me pandeminë.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, gjatë këtij viti Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 7.1%, falë ardhjes së madhe të diasporës, rritjes së eksporteve dhe konsumit, derisa eksportet e shërbimeve deri në fund të këtij viti do të jenë më të larta për 9.5%.
Në periudhën afatmesme, rritja ekonomike e vendit tonë do të jetë mbi 4% dhe që do të jetë e kushtëzuar nga përshpejtimi i vaksinimit dhe menaxhimit të pandemisë.