Skuadra e Ballkanit ka regjistruar një fitore të madhe në javën e 11-të të Albi Mall Superligës, duke triumfuar me rezultat të thellë 5-0 në udhëtim ndaj Malishevës.
Verdhezinjtë zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer, duke dominuar nga fillimi deri në fund, ku goli i parë erdhi herët, në minutën e 7-të, kur Almir Kryeziu shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Në pjesën e dytë, Ballkani shpërtheu me katër gola të tjerë.
Bleart Tolaj realizoi dy herë, në minutat 47 dhe 61, me asistime nga Kryeziu dhe Giovanni. Më pas, vetë Giovanni u fut në listën e golashënuesve në minutën e 70-të, pas një pasimi të saktë nga Valentin Serebe.
Ky i fundit vulosi fitoren e thellë në minutën e 76-të me një gol të bukur, pas asistit të Geralb Smajlit.
Pas këtij suksesi bindës, Ballkani arrin fitoren e gjashtë sezonale dhe ngjitet në kuotën e 22 pikëve, duke ruajtur pozitën e dytë në renditje.
Në xhiron e ardhshme, skuadra nga Suhareka pret në shtëpi Ferizajn./S.K/KP/
