Dy përfaqësuesit e Kosovës në UEFA Conference League, FC Ballkani dhe FC Malisheva, kanë përfunduar rrugëtimin e tyre në garat evropiane, pasi u eliminuan në raundin e dytë kualifikues.
FC Ballkani u ndal nga skuadra irlandeze Bohemians vetëm pas ekzekutimit të penalltive. Pas disfatës 2:1 në ndeshjen e parë në Irlandë, kampionët kosovarë reaguan në përballjen e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke fituar 3:2 dhe barazuar rezultatin e përgjithshëm në 4:4. Në vazhdime nuk pati gola, ndërsa fituesi u përcaktua nga penalltitë, ku Bohemians tregoi më shumë saktësi dhe triumfoi 5:4, duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër.
Ndërkohë, edhe FC Malisheva i dha fund aventurës së saj evropiane pas eliminimit nga Hibernian. Skuadra kosovare kishte krijuar epërsi të rëndësishme me fitoren 2:0 në ndeshjen e parë në Prishtinë, por në takimin e kthimit në Skoci u mposht me rezultat 4:1. Me rezultat të përgjithshëm 4:3 në favor të Hibernianit, Malisheva mbeti jashtë garës, duke mbyllur kështu pjesëmarrjen e saj në këtë edicion të UEFA Conference League.
D.L
