Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi thotë se prioritet në mandatin e tij qeverisës do të ketë trajtimin e problemeve me ujin.
Ballazhi premtoi edhe përfundimin e Shtëpisë së Kulturës në mesin e këtij viti. Mes tjerash ai foli edhe për prioritetet dhe për problemin që e ka percjellur komunën ndër vite.
“Prioritet ne sipas edhe kërkesave të qytetarët që kemi ndërtuar me programin tonë qeverisës është uji, problemi i ujit që na ka përcjellur me vite të tëra dhe ende nuk ka një zgjidhje” , tha ai. “Pastaj janë rinia, sporti, zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia kështu që gjitha janë pjesë e interesimit tonë për të quar përpara dhe që qytetari të ndjehet më i afërt me institucionet”.
Ballazhi flet edhe për gjendjen në të cilën e ka gjetur komunën dhe për infrastrukturën e kësaj komune.
“Në disa fushata jo edhe aq sa kemi menduar se do të ishte, por megjithatë ka një administratë të përgatitur deri diku mirë edhe pse ne do bëjmë përpjekje që kapacitetet profesionale të ngritën po megjithatë mirë është. Në infrastrukturë nuk jemi keq si Hani i Elezit po me ato problemet që janë të zakonshme. Ne do mundohemi këto 4 vite të bëjmë një zgjidhje sa më të mirë”, u shpreh ai.
Kryetari Ballazhi tregoi për realizimin e projekteve të cilat disa prej tyre vetëm se kanë filluar.
“Tani ne jemi me një buxhet të miratuar për vitin 2022, por megjithatë kemi disa nga projektet që janë në përfundim, projekti i Shtëpisë së Kulturës diku në maj-qershor do të përfundojë”, u shpreh ai. “Pastaj është një rrugë nga fshati Krivenik-Goranc, kemi disa projekte të vogla, është parku i qytetit që këtë vit do të fillojë që kemi mjete edhe disa projekte që ne do mundohemi me këtë buxhet të miratuar”, thotë kryetari i Hanit të Elezit.
Mehmet Ballazhi nga PDK-ja në zgjedhjet e 17 tetorit doli fitues me 50 për qind të votave, ndërsa Rufki Suma si kandidat i pavarur kishte marrë 40 për qind të votave.