UBT News

Baleti Kombëtar i Kosovës hap sezonin e vjeshtës me premierë të re

Baleti Kombëtar i Kosovës është duke hyrë në një kapitull të ri artistik me premierën e katërt të vitit 2025, të titulluar “Bach Alaturka & Bolero”, e cila do të prezantohet më 23 tetor 2025.

Ky projekt shënon një tjetër hap të rëndësishëm për ansamblin, duke sjellë një kombinim unik të muzikës klasike dhe moderne përmes një qasjeje koreografike të freskët dhe dinamike.

Shfaqja është e strukturuar në dy pjesë, ku muzika e Johann Sebastian Bach-ut interpretohet në frymë orientale përmes pjesës “Bach Alaturka”, ndërsa pjesa e dytë, “Bolero”, mbështetet mbi ritmin hipnotizues të kompozitorit francez Maurice Ravel.

Ky ndërthurim synon të krijojë një përvojë estetike të pazakontë për publikun, duke sjellë kontraste, energji dhe emocione të forta në skenë.

Në qendër të krijimit qëndron koreografi Mehmet Balkan, një emër i lidhur ngushtë me Baletin Kombëtar të Kosovës për më shumë se 15 vjet.  Përkrah tij, në procesin e provave dhe realizimit artistik, është edhe Lale Balkan, asistente dhe bashkëpunëtore e rregullt, e cila po ndihmon trupën e baletit të arrijë nivelin e lartë të interpretimit që kërkon ky projekt.

Ky bashkëpunim i ri pason sukseset e mëparshme të BKK-së, duke e vendosur trupën në një rrugëtim artistik gjithnjë në rritje.

Produksionet si “Lidhja”, “Dasma”, “Ngjyrat e Vallëzimit”, “Rite of Spring” e “Sisters” kanë dëshmuar profesionalizmin dhe përkushtimin e balerinëve, duke fituar vlerësime nga publiku dhe kritika.

Me premierën “Bach Alaturka & Bolero”, Baleti jo vetëm që vazhdon traditën për të sjellë krijime me standard të lartë, por forcon rolin si institucion kulturor i rëndësishëm, që ndërthur trashëgiminë muzikore botërore me vizionin e tij modern dhe inovativ. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version