Baleti Kombëtar i Kosovës do të jetë pjesë e Festivalit të Baletit Klasik dhe Modern në Shkup, ku është ftuar të hapë edicionin e sivjetmë me shfaqjen “Carmina Burana”, me koreografi të Toni Candeloros.
Shfaqja do të mbahet më 6 qershor 2026, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar në Shkup, duke shënuar një tjetër prezantim ndërkombëtar të trupës së baletit kosovar.
Nga Baleti Kombëtar i Kosovës kanë bërë të ditur se pjesëmarrja në këtë festival përbën një nder të veçantë dhe një mundësi të rëndësishme për të kontribuar në shkëmbimin kulturor dhe artistik në rajon. Sipas tyre, ky aktivitet shërben gjithashtu për të frymëzuar gjeneratat e reja të baletit dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet artistëve.
Në njoftim thuhet se programi i festivalit i kushton vëmendje të veçantë edhe promovimit të artistëve të rinj, duke u ofruar atyre mundësinë të ndajnë përvojat skenike me publikun dhe profesionistët e fushës.
Pjesëmarrja e Baletit Kombëtar të Kosovës në këtë festival vjen si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për promovimin e artit skenik dhe prezantimin e vlerave artistike të vendit në skenat rajonale dhe ndërkombëtare.
