Premiera botërore e veprës “Neighbours / from Motherland”, e cila hapi Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, u prit me duartrokitje për 10 minuta nga publiku.
Vepra, e krijuar nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasi, bashkoi për herë të parë në të njëjtën skenë trupat e Baletit të Shqipërisë dhe Baletit të Kosovës.
E shfaqur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo vepër e baletit bashkëkohor vuri në qendër rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, duke sjellë një bashkëpunim artistik mes dy trupave shqiptare.
Salla e teatrit ishte e mbushur me artdashës, të cilët ndoqën hapjen e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë (IDFT).
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ndau pamje nga performanca dhe bëri të ditur se më 7 tetor shfaqja do të prezantohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.
Festivali vazhdon me aktivitete të tjera, duke sjellë në Tiranë artistë dhe produksione nga skena ndërkombëtare e vallëzimit bashkëkohor./ATSH/A.K/
