UBT News

Bajrami shënon, Seferi dhe Shpendi bëjnë diferencën në Europë

Legjionarët kuqezi kanë mbyllur një javë të suksesshme me paraqitje të shkëlqyera në klubet e tyre jashtë vendit, duke lënë gjurmë me gola dhe asiste.

Nedim Bajrami, futbollisti shqiptar që luan për Rangers, ka shënuar golin e tij të parë në UEFA Europa League. Ai gjeti rrugën e rrjetës që në sekondën e 55-të të ndeshjes, duke kontribuar në fitoren 2-0 të ekipit të tij ndaj Malmo. Performanca e tij tërhoqi vëmendjen, duke u zgjedhur lojtari i ndeshjes me një notë prej 8.9 në sajtin e statistikave, sofascore.

Taulant Seferi vazhdon të jetë një faktor kyç në Turqi, duke shënuar golin e tij të dytë radhazi me Bodrumspor. Ai kontribuoi në fitoren 3-1 ndaj Adana Dermispor, megjithëse humbi një penallti gjatë ndeshjes.

Në Serinë B italiane, Cristian Shpendi ka vazhduar formën e tij të mirë, duke shënuar në sfidën ndaj Mantova. Goli i tij ndihmoi Cesena të triumfonte 4-2, duke e çuar numrin e golave të tij në katër për këtë kampionat.

Një tjetër emër që shkëlqeu këtë fundjavë ishte Myrto Uzuni, i cili dha një asist në barazimin 2-2 të Granadës ndaj Burgos, duke kontribuar në golin e parë të shënuar nga Tsitaishvili.

Në javën që kaloi, titullarë me skuadrat e tyre ishin edhe Thomas Strakosha, Alen Sherri, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Enea Mihaj, Arlind Ajeti, Ylber Ramdani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Arbër Hoxha, Jasir Asani, Sebastjan Spahiu dhe Mirlind Daku, të cilët gjithashtu kontribuan në rezultatet e tyre.

Këto paraqitje pozitive theksojnë rëndësinë e legjionarëve kuqezi në skenën ndërkombëtare, duke rritur pritshmëritë për të ardhmen e tyre./UBTNews/

 

 

 

Exit mobile version