Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka akuzuar qeverinë për nënshkrimin e mbi 1 mijë 800 kontratave njëburimore në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Sipas saj, rreth një e treta e buxhetit të shtetit shpenzohet përmes prokurimit publik.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet përshqyrtim Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, deputetja Bajrami ka thënë se kjo qeveri e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me këto kontrata.
“Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik gjatë këtij mandati qeverisës janë nënshkruar mbi 1 mijë 800 kontrata njëburimore në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Rreth një e treta e buxhetit të shtetit, taksave dhe tatimeve që ju paguani në vendin tonë shpenzohen përmes prokurimit publik. Shpenzime këto që në vazhdimësi janë në rritje. Ligji i prokurimit publik, ky që është në fuqi me gjithë të metat që ka, bazohet në parimet e ekonomisë së tregut, efikasitetit, trajtimit të barabartë, jo diskriminimit, qëllimi tij është që të sigurojë mënyrë më transparente të shfrytëzimit të fondeve publike nga ana e institucioneve kontraktuese. Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton më shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i mirë. Për më tepër kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut dhe ndikon në deformimin e konkurrencës së drejtë, e mbi të gjitha këto kontrata janë burim i korrupsionit…1803 kontrata, dhe kjo listë nuk është e plotë, sepse këtu nuk figuro fare tenderi për rezerva shtetërore i MINT prej 10 milion euro”, tha Bajrami.
Duke folur për kontratat njëburimore, ajo tha se Raporti për vendin i Komisionit Evropian ka treguar se në vitin 2022 janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 290 kontrata në vlerë prej 559 milionëve, për çfarë tha se një pjesë e konsiderueshme 20.8 për qind thuhet që janë dhënë përmes procedurave të negociuara pa publikim të kontratës, rreth 78 milionë euro.
“Kontratat me negocim të drejtpërdrejt edhe pse të lejuara në ligjin e prokurimit publik në kushte shumë specifike të përcaktuara në ligj gjatë këtij mandati po dalin që të jenë metodë e abuzimit me paranë publike dhe dëmtim i rënë i konkurrencës së drejtë në treg… Raporti për vendin i Komisionit Evropian, ky i fundit na jep statistika alarmante, dhe thotë që tregu i prokurimeve publike në Kosovë në vitin 2022 ishte 6.5 për qind e GDP-së. Sipas këtij raporti në vitin 2022 janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 290 kontrata në vlerë prej 559 milionëve. Një pjesë e konsiderueshme 20.8 për qind thuhet që janë dhënë përmes procedurave të negociauara pa publikim të kontratës, rreth 78 milionë euro”, shtoi ajo.
Ndërsa, ka thënë se në mesin e abuzueseve prin KEK-u me 43 milionë euro.
“Në mesin e abuzueseve prin KEK-u, e cila prej 340 milionëve ka 102 milionë kontrata të negociuara, janë gjithsej 112 kontrata. KEK-u ka negociuar 13 kontrata me të njëjtën kompani në vlerë prej 5.6 milionë euro me një kompani. Janë 43 milion euro të dhëna me kontrata të negociuara. E kemi Telekomin e Kosovës me 28 kontrata dhe 21 milionë kem mandej Shërbimin Klinik Spitalor të Kosovës me 52 kontrata, 3.5 milionë, Ministrinë e Arsimit me 41 kontrata, 10.2 milionë. Ne e dimë që ju nuk keni punuar asgjë, nuk keni arritur të përmbushni asnjë prej premtimeve, por janë edhe 881 milionë euro që kjo qeveri taksa dhe tatime e qytetarëve i ka dhënë me vendime të qeverisë dhe këto janë skema të abuzimit publik e korrupsionit që keni tentuar të blini paqe dhe të mirëmbani votën”, ka thënë ajo.