Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar vendimin e Kuvendit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, duke thënë se ai nuk garanton furnizim më të mirë me rrymë.
Sipas saj, për 60 ditët e ardhshme ndërprerjet e energjisë mund të bëhen në çdo kohë dhe vend, ndërsa vendimi, siç pretendon ajo, mbron KEDS-in dhe KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet e shkaktuara nga reduktimet.
Bajrami ka theksuar se vendimi parasheh edhe detyrimin e Ibër-Lepencit për të prodhuar energji për Shërbimin Universal, por ka vënë në pikëpyetje ndikimin e kësaj mase, duke përmendur kapacitetin e instaluar prej rreth 30 megavatësh.
Ajo ka pretenduar se vendimi krijon mundësi për arsyetimin e reduktimeve, blerjen e energjisë elektrike duke anashkaluar procedurat e prokurimit publik, si dhe kontraktimin e kompanive për investime dhe remontet në KEK pa procedurat e zakonshme.
Deputetja e LDK-së ka rikujtuar se masat emergjente për furnizimin me energji ishin shpallur për herë të parë më 21 dhjetor 2021, ndërsa, sipas saj, gati pesë vjet më vonë, sektori vazhdon të funksionojë nën masa të tilla.
Ndër problemet që ajo ka renditur janë mungesa e kontratave afatgjata për blerjen e energjisë, dështimi i remonteve, kostot e larta të kontratave, moszbatimi i Strategjisë së Energjisë dhe mungesa e kapaciteteve të reja gjeneruese.
Bajrami ka vlerësuar se zgjidhja afatgjatë e krizës qëndron në ndërtimin e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë. Ajo ka paralajmëruar se, nëse nuk ndërmerren hapa në këtë drejtim, kriza mund të thellohet dhe qytetarët e buxheti i Kosovës mund të përballen me vështirësi për mbulimin e kostos së energjisë.
Deklaratat e saj janë publikuar në rrjetin social Facebook./A.K/
