Bahri Omari, një nga personalitetet më të shquara të Shqipërisë në periudhën midis dy luftërave botërore, u kujtua sot në një ceremoni përkujtimore nga Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”. Lindi më 10 shkurt të vitit 1889 në qytetin e Gjirokastrës, dhe gjatë jetës së tij, ai u angazhua si intelektual, publicist, veprimtar politik dhe ministër i shtetit shqiptar. Bahri Omari është një figurë e njohur për kontributet e tij në zhvillimin e shtetit shqiptar dhe përpjekjet për të mbrojtur territorin e Shqipërisë gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore.
Pasi kreu studimet për Shkenca Politike-Administrative në Stamboll, ai u caktua nënprefekt i Himarës dhe shërbeu me nder në organizimin e çetave për mbrojtjen e territorit shqiptar nga sulmet e andartëve grekë. Puna e tij si veprimtar kombëtar e vendosi në ballë të çështjes shqiptare, duke kontribuar për shpëtimin e integritetit të territorit shqiptar në një periudhë të vështirë historike.
Në vitin 1915, Bahri Omari u largua për në SHBA, ku mori drejtimin e gazetës “Dielli”, organi i shtypit të Federatës Shqiptare “Vatra”, një nga organizatat më të rëndësishme të diasporës shqiptare. Ky angazhim e forcoi ndikimin e tij në arenën ndërkombëtare dhe i dha mundësinë të luftonte për çështjen shqiptare nëpërmjet fjalës dhe shtypit.
Në vitin 1919, ai u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh dy herë deputet i prefekturës së Gjirokastrës në Këshillin Kombëtar, organin legjislativ të kohës. Omari mbështeti qeverinë e Fan Nolit në vitin 1924, një periudhë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, por pas kthimit në pushtet të Ahmet Zogut, ai u largua nga Shqipëria dhe iu bashkua opozitës shqiptare në ekzil.
Në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, Omari u rikthye në atdhe dhe u angazhua në politikën shqiptare. Në vitin 1942, ai u bë pjesë e Ballit Kombëtar dhe u emërua ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës gjatë viteve 1943-44, një periudhë kur Shqipëria ishte nën pushtimin e forcave fashiste.
Pasi erdhi në pushtet regjimi komunist në vitin 1944, Bahri Omari u arrestua dhe, pas një gjyqi të montuar, u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “Gjyqi Special” më 13 prill 1945. Ai u ekzekutua pa asnjë mundësi për t’u mbrojtur në Kodra e Priftit në Tiranë, një ngjarje që tronditi më shumë opinionin publik të kohës.
Bahri Omari u shpall pas vdekjes “Nderi i Kombit” nga shteti shqiptar për kontributet e tij të pazëvendësueshme në historinë dhe luftën për pavarësinë e Shqipërisë. Me vdekjen e tij, ai la një trashëgimi të pasur politike dhe intelektuale, duke qenë një figurë e paharruar në historinë e Shqipërisë./UBTNews/