Një ëndërr e dyfishtë është bërë realitet në botën e basketbollit amerikan. LeBron James dhe i biri, Bronny James, do të luajnë së bashku për Los Angeles Lakers, duke realizuar një moment historik në NBA. Me këtë transferim, 19-vjeçari Bronny James do të bashkohet me ekipin e Lakers, duke i dhënë mundësinë të luajë në të njëjtën skuadër me babanë e tij, LeBron James.
Ky moment është një kontrast i madh, pasi mes dy lojtarëve që ndajnë të njëjtën familje ka një diferencë moshe prej 20 vjetësh. LeBron James, në moshën 39-vjeçare dhe duke mbushur 40 vjeç në dhjetor të këtij viti, është konsideruar si një nga legjendat më të mëdha të basketbollit amerikan dhe botëror. Në një karrierë të gjatë dhe të suksesshme prej 20 vjetësh, LeBron ka fituar katër tituj kampioni, ka thyer rekorde dhe është i njohur për aftësitë e tij të jashtëzakonshme në të gjitha aspektet e lojës, përfshirë pikët, topat në tabela dhe asistet.
Megjithatë, edhe pse LeBron James ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në basketboll, koha do të tregojë nëse dyshja “babë e bir” do të arrijë të ketë sukses në parket si një ekip. Dëshira e LeBronit për të luajtur me të birin ka qenë një nga objektivat e tij të fundit në karrierë, dhe tani ky moment është bërë realitet.
Në anën tjetër, Bronny James, i cili është i njohur si një talent i ri në rritje, ka marrë disa kritika për nivelin e tij të lojës. Kohët e fundit, ai ka pasur një operacion në zemër, ndërsa vazhdonte të luante në basketbollin e kolegjeve, çka ka ngritur disa shqetësime në lidhje me performancën e tij. Megjithatë, edhe pse ky aspekt mund të ngrejë disa pyetje, prania e tij në Los Angeles Lakers premton një kapitull të ri dhe emocionues për familjen James dhe për tifozët e basketbollit.
Ky është një moment historik që do të mbahet mend dhe që do të ndjekë me interes të madh evoluimin e këtij dyshes në NBA./UBTNews/