Babai i Novak Gjokovic, Srdjan është filmuar duke pozuar për foto me mbështetësit e presidentit rus Vladimir Putin në Australian Open.
Srdjan Gjokovic u fotografua me një burrë që mbante një flamur rus me fytyrën e Putinit dhe kishte veshur një bluzë të printuar me simbolin Z, simbol ky pro luftës në Ukrainë.
Flamujt dhe simbolet ruse dhe bjelloruse janë ndaluar në Melbourne Park që kur një flamur rus u shfaq gjatë një ndeshjeje mes Kateryna Baindl të Ukrainës dhe Kamilla Rakhimova të Rusisë në ditën e hapjes.
Pati një shfaqje mbështetjeje për Putinin pas fitores çerekfinale të Gjokoviç ndaj rusit Andrey Rublev të mërkurën në mbrëmje.
Një flamur rus që mbante imazhin e Putinit u shfaq jashtë Arenës Rod Laver nga një grup tifozësh të veshur me ngjyra serbe. Duke brohoritur mbështetje për Rusinë, disa kishin flamurin e Serbisë të mbështjellë rreth shpatullave të tyre.
Në një deklaratë, Tennis Australia tha: “Një grup i vogël njerëzish shfaqën flamuj dhe simbole të papërshtatshme dhe kërcënuan rojet e sigurisë pas një ndeshjeje të mërkurën mbrëma dhe u dëbuan.
“Lojtarët dhe ekipet e tyre janë informuar dhe kujtuar për politikën e ngjarjes në lidhje me flamujt dhe simbolet dhe për të shmangur çdo situatë që ka potencial për të prishur [situatën]. Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me sigurimin e ngjarjeve dhe agjencitë e zbatimit të ligjit”.
Në vitin 2022, lojtarët rusë dhe bjellorusë u ndaluan të konkurrojnë në Wimbledon për shkak të pushtimit të Ukrainës./UBTNews/