UBT News

Babai i Endrit Azemit kërkon falje për mashtrimin: Familja nuk kishte dijeni për mbledhjen e parave

Xhemajl Azemi, babai i Endrit Azemit, i cili dyshohet se mblodhi mbi 189 mijë euro duke pretenduar se vuante nga leukemia, ka deklaruar se familja nuk kishte dijeni për mashtrimet e të birit.

Në një deklaratë për Tëvë1, ai u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve që kanë dhënë para për shërimin e pretenduar të djalit të tij, duke thënë se familja nuk ishte në dijeni të asaj që po ndodhte.

Azemi ka shprehur dyshimin se i biri nuk mund ta ketë organizuar i vetëm këtë skemë, duke përmendur edhe përfshirjen e personave të tjerë që, sipas tij, janë shoqëruar me Endritin.

Ai ka deklaruar se paratë e mbledhura përmes platformës “GoFundMe” dhe në sheshin e qytetit ndodhen në bankë dhe se, sipas tij, Policia ka dijeni për to. Babai i të dyshuarit ka thënë gjithashtu se familja nuk ka përfituar asnjë shumë nga këto mjete.

Xhemajl Azemi ka treguar se për herë të fundit e kishte parë të birin në gjendje të dobët fizike, ndërsa më 31 të muajit ai ishte nisur për në Turqi. Sipas tij, familja kishte menduar se Endriti ishte i sëmurë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar Endrit Azemit një muaj paraburgim, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

Sipas dosjes së prokurorisë, i dyshuari dyshohet se përmes platformës “GoFundMe” dhe thirrjeve për ndihmë të organizuara në qytet ka mashtruar qytetarët, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe duke përfituar 189 mijë e 208 euro e 80 centë.

Prokuroria dyshon se mashtrimi ishte organizuar për rreth dy javë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror./A.K/

 

Exit mobile version