Kandidati për president të Fenerbahçe S.K., Aziz Yıldırım, ka premtuar se do të realizojë transferimin e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi nëse fiton zgjedhjet në klub.
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur të martën, Yıldırım bëri të ditur se negociatat për afrimin e Muriqit janë në fazën përfundimtare.
“Jemi në bisedime me dy lojtarë, Vedat Muriqin dhe Serhou Guirassyn. Kemi arritur në fazën finale të negociatave”, deklaroi ai.
Interesimi i Fenerbahçes për Muriqin vjen në një moment kur sulmuesi ka kërkuar largimin nga RCD Mallorca, pas rënies së skuadrës nga elita e futbollit spanjoll.
Muriqi zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Mallorcan në edicionin 2025/26 të La Ligës, duke realizuar 23 gola dhe duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të ekipit. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve, ndërsa Fenerbahçe duket e vendosur për ta rikthyer sulmuesin në futbollin turk.
Kujtojmë se Muriqi ka luajtur më parë në Turqi, ku ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij pikërisht me fanellën e Fenerbahçes, para se të transferohej në Spanjë.
