UBT News

Azerbajxhani e dënon me burgim të gjatë një rus që kishte luftuar për Armeninë

Një gjykatë në Baku dënoi me dhjetë vjet burgim një shtetas rus nën akuzën për pjesëmarrje në luftë në anën armene gjatë konfliktit të vitit të kaluar për Nagorno-Karabakun.

Gjykata e Bakus për Krime të Rënda të enjten e shpalli rusin Sergei Dubakov fajtor për terrorizëm, pjesëmarrje në grup kriminal dhe kalim të paligjshëm të kufirit, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Hetuesit thanë se Dubakovi në mënyrë të paligjshme e kishte vizituar Nagorno-Karabakun, ku ishte bashkuar me një grup ilegal të armatosur armen dhe kishte marrë pjesë në ushtrime ushtarake në distriktin Kalbacar.

Dubakovi u arrestua në janar, pasi kishte arritur në Azerbajxhan nga Turqia. Hetuesit thanë se ai kishte planifikuar akte sabotimi dhe terrorizmi në Azerbajxhan. Vetë i akuzuari u deklarua i pafajshëm, ndërsa zyrtarët armenë nuk e komentuan dënimin e tij.

Tensionet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë janë rritur përsëri në javët e fundit pas të shtënave në kufi. Vitin e kaluar rreth 6.000 persona, shumica ushtarë, u vranë gjatë luftimeve që zgjatën gjashtë javë e u ndalën me armëpushimin e ndërmjetësuar nga Rusia.

Sipas marrëveshjes, Rusia dërgoi rreth 2.000 trupa paqeruajtëse në zonën e konfliktit dhe ofroi asistencë për shkëmbimin e të burgosurve të luftës dhe të ndaluarve të tjerë mes dy ish-republikave sovjetike.

Exit mobile version