Një gjykatë në Azerbajxhan të enjten dënoi 13 pjesëtarë të forcave të armatosura të Armenisë me nga gjashtë vjet burgim, duke i shpallur fajtor për kalim të paligjshëm të kufirit, posedim të armëve dhe terrorizëm.
Gjykata për Krime të Rënda tha se trembëdhjetë personat e dënuar me burgim do të dëbohen pasi ta kenë vuajtur dënimin, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Kjo nuk është hera e parë që Azerbajxhani dënon me burgim ushtarë armenë pas përfundimit të konfliktit të përgjakshëm të vitit të kaluar.
Këtë muaj, 14 pjesëtarë të forcave të armatosura të Armenisë u dënuan me kohëzgjatje të ndryshme të burgimit në Azerbajxhan.
Ndryshe, kryeministri në detyrë i Armenisë, Nikol Pashinyan, diskutoi për kthimin e ushtarëve nga Azerbajxhani gjatë një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
Tensionet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit përcillen me vëmendje të madhe ndërkombëtare për shkak të rrezikimit të mundshëm të gazsjellësve dhe naftësjellësve që kalojnë nëpër atë rajon dhe për shkak të rrezikut që në konflikt të përfshihen fuqitë rajonale, Turqia e Rusia.