Kryetari i sindikatës së sektorit privat të Kosovës, Jusuf Azemi, pas takimit me kryeministrin e vendit Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje punëtorëve teknikë që protesta të vazhdojë deri në arritjen e një zgjidhje institucionale.
“Ne sapo dolëm nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti. Ishte një takim për të cilin jemi pajtuar që të bisedojmë ekskluzivisht për punëtorët teknikë të cilët janë për momentin në protestë, dhe që nga e hëna do të futën në grevë. Ne i kemi shprehur shqetësimet e tona të cilat mendoj që përafërsisht edhe kryeministri i ka ditur dhe ka qenë një kërkesë po themi përfundimtare po që se nuk gjendet zgjidhje për këta punëtorë teknik dhe të sigurimit, që nga e hëna ne do të jemi në grevë. Për këtë nuk kemi bërë aspak biseda. Ne i kemi ofruar bashkëpunim 24 orësh kryeministrit dhe ministrit të shëndetësisë me qëllim që të mos vijmë deri tek kjo. Ka qenë një propozim i kryeministrit, i cili sigurisht të enjten, eventualisht të premten bashkë me ministrin e shëndetësisë dhe me përfaqësues të pronarëve të kompanive që shërbejnë në këto spitale dhe do të gjendet një zgjidhje”, tha Azemi.
Më tej ai theksoi se kërkesat e tyre para kryeministrit janë të arsyeshme dhe po presin lëvizje pozitive.
“Kryeministri thotë do të gjejmë një zgjidhje sado që është e rëndë. Kërkesat tona para kryeministrit janë të arsyeshme dhe ne po presim lëvizje pozitive. Megjithatë i njoftojë të gjithë punëtorët se protesta duhet të vazhdojë sipas vendimit që ne e kemi marrë dhe hyrja e dalja nga protestat e greva e bën vetëm sindikata me kryetarët e shoqatave. Andaj normal që protestat vazhdojnë ashtu sipas vendimit që kemi marrë më herët”, tha tutja ai.
Tutje Azemi tha se nga Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike po përfitojnë më shumë kompanitë, ndërsa punëtorët e sektorit privat po vuajnë.
“Kemi diskutuar edhe për shumë çështje të tjera si paga minimale e gjendja, gjendjen e rëndë të punëtorëve që tani po humbin vendin e tyre të punës dhe në një farë forme i kemi bërë me dije kryeministrit që janë shpërndarë disa pako emergjente, rimëkëmbja ekonomike e simulimi nga 110 euro. Por i kemi bërë me dije se pjesa dërmuese po shkon nëpër llogaritë bankare të kompanive dhe ne aspak nuk jemi duke e ndjerë këtë lehtësim dhe e gjithë fatura e kësaj pandemie po bie mbi barrën e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, tha ai.