Mbi 2 milionë euro janë marrë ilegalisht nga Thesari i Shtetit. Policia e Kosovës njofton se u arrestua një i dyshuar.
Lidhur me rastin u deklarua ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila u shpreh se bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta që kanë dalë nga llogaria e thesarit të shtetit.
Ministrja e Financave ka thënë se përfitues është një operator ekonomik, për të cilin ka thënë se nuk mund ta zbulojë për shkak të mosdëmtimit të hetimeve.
“Rreth 2.1 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik. E kemi njoftuar rastin dje te Policia, të gjitha institucionet po merren me të. Deri më tani janë suspenduar dy zyrtarë, njëri nga ta është arrestuar nga Policia e Kosovës. E kemi njoftuar edhe AKI-në”, deklaroi Bajrami.
Sipas saj, institucionet e vendit po mundohen maksimalisht që këto mjete t’i kthehen buxhetit dhe ky është rast i izoluar.
Ministrja Bajrami njoftoi se paratë janë tërhequr prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe kanë kaluar te një operator ekonomik më 9 tetor./UBTNews