Federata e Futbollit të Kosovës në orët e pasdites të së hënës publikoi në faqen e saj zyrtare vendimin e Gjykatës Themelorë në Prishtinë mbi ankesën e Gramoz Vokrrit përmes së cilës kërkohej pezullimi i Kuvendit Zgjedhor të FFK-së, i thirrur për t’u mbajtur më 6 prill.
Në vendimin e publikuar shihet se gjykata ka vendosur që Kuvendi i FFK-së është thirrur duke u bazuar në normalet ligjore dhe se ankesa e Vokrrit është e pa bazuar.
I kontaktuar nga KosovaPress, avokati i Gramoz Vokrrit, Arbër Krasniqi ka thënë se ai si përfaqësues i palës së ankuar ende nuk e ka marrë vendimin e Gjykatës Themelore dhe se janë duke e pritur atë.
“Ende nuk e kemi pranuar vendimin nga Gjykata Themelore”, ka thënë shkurtimisht Krasniqi.
Në rast se vërtetohet nga të gjitha palët se Kuvendi Zgjedhor i FFK-së është i thirrur ligjërisht, atëherë të mërkurën i vetmi kandidat për kryetar të kësaj federate do të jetë kryetari aktual Agim Ademi.